Biznes

Cineworld po shqyrton falimentimin


Zinxhiri amerikan i kinemave, Cineworld, aktualisht po lufton me borxhe në një vlerë prej pesë miliardë dollarësh.

Së fundi ka konfirmuar se po shqyrton kërkesën për falimentim në SHBA.

Megjithatë, kompania ka këmbëngulur se kinematë do të mbeten “të hapura për biznes” dhe se “nuk do të ketë ndikim” në punët e 28 mijë punonjësve në mbarë botën.

Ngjashëm si shumë zinxhirë të tjerë kinemash, Cineworld u godit veçanërisht rëndë nga pandemia, e cila detyroi shumë salla të mbyllnin dyert dhe të lejonin më pak klientë të blinin bileta kur u rihapën.

Zinxhirët si Cineworld shpresonin që filmat e suksesshëm dhe filmi i fundit i James Bond do të shënonin një kthim të audiencës në nivelet para pandemisë.

Por kjo s’ka ndodhur.

Kompania ka bërë me dije se po lufton për të tërhequr audiencë dhe se kjo po ndikon shumë te të ardhurat.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është konkurrenca me të cilën po përballen kinematë nga shërbimet e transmetimit si Netflix, të cilat shpërthyen gjatë pandemisë.

Edhe Netflix-i ka raportuar një rënie të vazhdueshme të abonentëve pasi kriza e kostos së jetesës vazhdon t’i detyrojë njerëzit të shkurtojnë shpenzimet jo jetike.

Së fundmi, aksionet e Cineworld ranë me 60 për qind pasi u raportua se firma po kërkonte të falimentonte.

Më vonë, kompania ka deklaruar se po shikonte opsione se si të ristrukturonte biznesin. Pa bërë të ditura plane nëse kishte si opsion falimentimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore