Shqipëria

Cili është ndryshimi që kërkon Kurti në Shqipëri?


Të enjten Albin Kurti përmbylli vizitën treditore në Shqipëri.

Përgjatë saj, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), prezantoi tre kandidatët e këtij subjekti për zgjedhjet e 25 prillit.

Iliaz Shehu do të garojë në Lezhë. Boiken Abazi në Tiranë dhe Kreshnik Merxhani në Gjirokastër. Të tre si të pavarur, pa sigël, por të mbështetur nga VV.

Por, Kurti nuk u mjaftua vetëm me shpalljen e kandidaturave. Nga shkallët e selisë në Tiranë, ai çoi mesazhe politike në dy adresa.

Udhëheqësi i LVV-së iu drejtua popullit dhe partive politike shqiptare, në të njëjtën kohë.

“Ndryshimet në Kosovë janë bërë. Tashmë, i takon Shqipërisë të bëjë ndryshimet, pasi shqiptarët meritojnë më shumë”.

Albin Kurti kërkoi ndryshim në Shqipëri, pas ndryshimeve në Kosovë. Por, nuk e tha kush ishte ndryshimi që ai do për Shqipërinë.

“Rreshtimi me opozitën” dhe “deliri i liderit mbarëkombëtar”

Botuesi i Gazetës Tema, Mero Baze, mendon se “është e qartë që Kurti është pjesë e padeklaruar e koalicionit opozitar në Shqipëri”, prandaj e quan “frikacak” kandidatin për kryeministër të Kosovës.

“Do të duhej të futej me logon e Vetëvendosje në zgjedhje dhe jo të testonte me tra anonimë, sa për ta justifikuar mbështetjen e tij për Ilir Metën dhe Sali Berishën”.

Ai nënvizon se Shqipëria “ka nevojë për ndryshim” dhe jo për kthim prapa, siç e vlerëson rreshtimin e Kurtit me Metën dhe Berishën.

“Nëse në Kosovë Kurti lavdërohet që ka nxjerrë në pension klasën e vjetër politike, në Shqipëri po angazhohet të nxjerrë nga varri e të ringrejë të vdekurit e korrupsionit, vrasjeve politike dhe hajdutët e votave”.

Për sa i përket mundësisë që Kurti të kthehet në lider mbarëkombëtar, Mero Baze shprehet tejet skeptik, madje deri në atë masë sa vlerëson se, pritjet e mëdha të liderit të VV-së për veten, po e kthejnë në instrument të të tjerëve.

“Me delirin e tij si ‘lider mbarëkombëtar’, Kurti po i bën një shërbim të keq Kosovës në Shqipëri. Asnjë lider i Kosovës nuk e ka lejuar veten të përdoret për luftë politike në Shqipëri. Albini po përdoret dhe kjo rrezikon të nxisë një frymë përçarjeje kombëtare”.

Ndryshimi është vetë Kurti?

“Albin Kurti do ta shtrijë aktivitetin e tij politik edhe në Shqipëri”, thotë gazetari me përvojë Mentor Kikia, i cili vlerëson se arritja e Kurtit me “energji të reja në Tiranë, pas fitores në Kosovë”, duke folur për ndryshim, është konfirmim i kësaj lëvizje.

Ai e sheh shtrirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri si projekt paszgjedhor të liderit të saj, i cili nuk pretendon sukses të menjëhershëm.

“Mendoj se edhe tre kandidatët për deputet, nuk do të futen dot në Parlament. Por, Kurti do të futet në politikën shqiptare dhe Vetëvendosje do të faktorizohet, ky është realitet”.

Sipas Kikisë, Vetëvendosje nuk e ka të njëjtën kauzë që synojnë partitë shqiptare dhe që e kërkon elektorati shqiptar, pasi vjen nga një realitet tjetër dhe ky aspekt e dëmton në garë.

“Në Kosovë, në një vend të sapodalë nga lufta, kishte një kauzë të fortë. Në Shqipëri, ajo kauzë nuk prodhon politikë apo elektorat. I vetmi target që synojnë, janë të pakënaqurit. Nëpërmjet tyre, ai synon të sjellë ndryshimin”.

Prandaj, vlerëson Mentor Kikia, “ndryshimi të cilit Kurti i referohet, nuk është ardhja e PD në pushtet, por instalimi i politikës së tij pas 25 prillit”.

Por, përtej mundësisë që partia e Kurtit të bëhet pjesë e politikës në Shqipëri, ai e sheh të vështirë që Kurti të kandidojë për kryeministër të Shqipërisë.

“Nuk mendoj se e ka rrugën të shtruar me tapet. Ai mund të ushtrojë influencën nëpërmjet Vetëvendosje në Shqipëri. Nuk është çudi që kjo e fundit të jetë aktive në vendin tonë, edhe pse jam skeptik se mund të mbështetet masivisht”.

Tre vizita, tri çështje

Përtej prezantimit të kandidatëve për deputetë, Kurti pati edhe tre takime jozyrtare me tre figura të larta politike: kryeministrin Edi Rama, presidentin Ilir Meta dhe kreun e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, Lulzim Basha.

Ndër tre takimet, Meta dhe Basha publikuan statuse në Facebook dhe objektet e bisedave. Rama ndërkohë nuk pati asnjë prononcim mbi takimin me Kurtin.

Vetë Kurti, në tri ditë, përfundoi tri çështje në agjendën e tij, të cilat ndoshta nuk ishin të përfshira paraprakisht, siç ishin prezantimet e deputetëve.

Fillimisht, ai e cilësoi të pamundur bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Kjo, për shkak të Kushtetutës së Kosovës, tha ai.

Së dyti, ai bëri thirrje që Shqipëria të ndryshojë. Këtë, pikërisht përpara se të takonte tre politikanë shqiptarë, që kanë përcaktuar shumë gjatë dekadës së fundit.

Por, ndryshimet që ai kërkoi mbeten të paqarta. Data 25 prill mund t’i qartësojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore