Cilësia e jetës në Kosovë është mjaft e mirë, shikoni jetëgjatësinë mesatare, thotë Murati  

Hekuran Murati

Dreni Himbeqa
08.06.2024 16:48
Loading Icons...

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka vlerësuar se cilësia e jetës në Kosovë “është mjaft i mirë”.

Një konstatim të tillë, Murati, e ka dhënë duke u bazuar në “jetëgjatësinë e pritur”.

“Jetëgjatësia e pritur është tregues mjaft i mirë edhe për cilësinë e jetës në një vend. Sipas të dhënave të grumbulluara nga Banka Botërore, jetëgjatësia mesatare e pritur në Kosovë është 80 vjet, apo rreth 4-5 vjet më e lartë sesa mesatarja e shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor”.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore në vitin 2020 jetëgjatësia e pritur në Kosovë ka qenë 80 vjet.

Pas Kosovës, sipas këtyre të dhënave, është renditur Shqipëria me jetëgjatësi të pritur 77 vjet.

Në Mal të Zi, jetëgjatësia e pritur në vitin 2020 ka qenë 76 vjet. Në Serbi 75 vjet. Edhe në Bosnje e Hercegovinë 75 vjet. Në Maqedoninë e Veriut 74 vjet.

Të dhënat e publikuara nga Hekuran Murati

Ndërkohë viteve të fundit pakënaqësia e punëtorëve në Kosovë është shtuar.

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 dhe nisja e luftës në Ukrainë, çmimet e shumë artikujve dhe shërbimeve janë rritur dukshëm.

Paga mesatare në sektorin privat, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2022 ka qenë 473 euro.

Ky sektor vazhdimisht ka pasur kritika për trajtim joadekuat të punëtorëve, madje në kundërshtim me Ligjin e punës.

Që nga viti i kaluar, ky sektor është duke u ballafaquar me mungesë të punëtorëve – disa janë në kërkim të kushteve më të favorshme dhe po lëvizin nga një kompani në tjetrën brenda Kosovës, ndërsa disa po kërkojnë punë në vende të BE-së.

Të fundit

Aktuale