Shqipëria

Cilat qarqe mund t’i përcaktojnë zgjedhjet e 25 prillit?


Zgjedhjet e 25 prillit janë vetëm një muaj larg. Listat zgjedhore ndërkaq janë publikuar prej dy javësh. Komente të shumta ka pasur mbi to, kryesisht për emrat e rinj të përfshirë dhe për lënien jashtë të disa të tjerëve.

Surprizë nga Partia Socialiste ndërkohë, ishte vendosja në vende jo të sigurta të eksponentëve të lartë në qarqet përkatëse. Nga ana tjetër, partitë opozitare i kanë renditur kandidatët e tyre me më shumë kontribut në vende të sigurta.

Pas tetë viteve qeverisjeje të Edi Ramës si kryeministër, dinamikat në qarqe të caktuara mund të ndryshojnë. Numri i mandateve ndryshon gjithashtu në disa qarqe. Tirana merr dy mandate më shumë, ndërkohë që Gjirokastra e Kukësi humbasin një.

Pikërisht për këtë fakt gara pritet të jetë më interesante.

Por, cilat do të jenë qarqet ku do të zhvillohet beteja më e flaktë që do të përcaktojë zgjedhjet e 25 prillit?

Sipas gazetarit Neritan Sejamini, “gjithçka do të vendoset në Tiranë dhe Durrës”. “Rezultati që opozita do të arrijë në këto dy qarqe do të jetë përcaktues për ardhjen e tyre në pushtet”, iu përgjigj Sejamini pyetjes së Albanian Post.

“Nëse Partia Socialiste do të arrijë të ruajë pak a shumë atë peshë që ka në Tiranë dhe Durrës, shanset që opozita të vijë në pushtet janë shumë të vogla. Nëse opozita do të arrijë t’i përmbysë Tiranën dhe Durrësin, atëherë ata vijnë në pushtet”.

Nga ana tjetër, gazetari i njohur, Mentor Kikia, mendon se nuk mund të ketë një parashikim korrekt në këtë aspekt. Sipas tij, ajo që përbën diferencën është përfshirja e emrave të rinj në lista.

“Lajmi i mirë është që ka shumë të rinj. Jo thjesht për moshën, por edhe që janë afruar në politikë tani për herë të parë. Ata janë të përgatitur dhe të mirëarsimuar. Vijnë me ideale, me dëshirë për të kontribuar dhe për të ndryshuar diçka”.

Gjithsesi, Kikia nënvizon faktin se mjedisi politik shqiptar nuk është më i përshtatshmi.

“E keqja është që këta të rinj do të futen në një mjedis politik ku të merret fryma. Kjo, sepse nuk ka demokraci, nuk ka hapësirë që idealet të shndërrohen në vepra. Nuk lejohet që dikush të spikasë, të krijojë karrierën e tij, personalitetin e tij. Me gjithë formimin që kanë, ata shndërrohen thjesht në numra për ngritje kartoni”.

Për kreun e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, premisat janë shfaqur tashmë se cilat do të jenë qarqet e nxehta.

“Elbasani është një nga qarqet. Më pas konsideroj Durrësin si problematik. Dy prej qyteteve skajore të vendit gjithashtu. Bëhet fjalë për Dibrën në veri dhe mund të jetë trazira edhe në jug të vendit në një pjesë të Vlorës”.

Qarqet e tjera

Fieri është qarku i dytë më i madh në vend. Si i tillë ofron numrin më të madh të mandatave pas Tiranës, 16 të tillë.

Në një intervistë për Albanian Post, e para në listën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, deklaroi se Fieri do të jetë qarku surprizë i këtyre zgjedhjeve.

“Me besim të plotë, them se Fieri do të jetë surpriza e padiskutueshme e 25 prillit. LSI-ja do të marrë katër mandate këtu”.

Nëse kjo arrihet, socialistët e qendrës do të dyfishonin mandatet. Gjithsesi, lufta duket e vështirë, duke marrë parasysh faktin se Fieri është një bastion historik i PS-së. Në prezantimin e kandidatëve të qarkut, Rama zbuloi objektivin për Fierin: 10-11 mandate.

Një qark tjetër interesant për t’u ndjekur do të jetë Berati. Sipas sondazheve të Albanian Post, LSI-ja është në rënie të lirë në këtë qark dhe mund të mbetet edhe pa mandat. Socialistët ndërkohë shfaqin rritje në Berat.

Kjo, edhe për shkak se, figura të rëndësishme si ajo e Nasip Naços, u larguan nga LSI-ja drejt PS-së përpara fushatës.

Shkodra do të jetë gjithashtu interesante, duke marrë parasysh kandidimin e socialdemokratëve të Tom Doshit në qark. Ky i fundit, arriti të fitonte i vetëm mandatin e fundit të Shkodrës në zgjedhjet e 2017-ës.

Futja e Jozefina Topallit në garë mund t’i japë gjithashtu një tjetër nuancë garës shkodrane.

Në zgjedhjet e 25 prillit, 12 lista për çdo qark do të vihen në dispozicion të zgjedhësve. Demokratët do të kenë të integruar brenda vetes edhe aleatët. Forcat e tjera ndërkohë, do të garojnë më vete.

Me interes është për t’u ndjekur edhe fillimi i rrugëtimit për Nismën Thurje. Ai i kandidatëve të pavarur të Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër, gjithashtu.

Gjithsesi, me thuajse çerekun e tërësisë së mandateve të dala nga kryeqyteti, Tirana mbetet epiqendra politike dhe jetike e vendit. Mbi të gjitha, për zgjedhjet e 25 prillit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore