Lajme

Cilat komuna shpenzuan më së shumti për dekorimin e qyteteve?


Dekorimi i qyteteve për fundvit

Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës, Mitrovicës dhe ajo e Podujevës kanë shpenzuar mbi 100 mijë euro për dekorimin e qyteteve për festat e fundvitit.

Më së shumti ka harxhuar kryeqyteti.

Komuna që tani drejtohet nga Përparim Rama, i ka ndarë 50 mijë euro për dekorimin e Prishtinës.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, ish-drejtori i kulturës, Adrian Berisha, përmes një përgjigje me shkrim.

20 mijë euro më pak se Prishtina ka shpenzuar komuna e Gjakovës. Ajo ka nda vetëm 30 mijë euro për dekorim të shesheve të saj.

“Janë shpenzuar rreth 30 mijë euro për dekorimin e Gjakovës”, tha zëdhënësja e komunës Donika Grezda për Albanin Post.

Dekorimi i shesheve në Prishtinë

Ndërsa, komuna e Ferizajt shpenzoi rreth 12 mijë euro për ta zbukuruar qytetin.

“Dekorimi ka kushtuar 12 mijë euro, është pritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët dhe pjesa më e madhe e materialeve janë nga vitet e kaluara me disa ndryshime në figura”, potencoi Arben Halili, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë.

Në anën tjetër, zyrtarja e prokurimit në Prizren pohoi për AP se “është shpallë dy herë për 20 mijë euro nuk ka aplikuar askush, herën e tretë e kemi bërë për 15 mijë euro, ndërsa herën e katërt është bërë shumë vonë e kemi bërë me 10 mijë euro”.

Ndërsa, komuna e Podujevës për dekorim ka ndarë më pak se 10 mijë euro.

“Parashikimi i vlerës për projektin e dekorimit të qytetit ka qenë nëntë mijë e 950 euro”, theksoi zëdhënësi i kësaj komune, Flakrim Zhitija.

Podujevë

Ndryshe nga komunat e tjera, Mitrovica kësaj here nuk futi nga buxheti as një cent për dekorim, shkak i borxheve nga qeverisja e kaluar.

Kështu të paktën pretendon shefja e informimit, Blerina Kastrati-Idrizi në një prononcim për Albanian Post.

“Komuna e Mitrovicës në buxhetin e saj nuk ka të planifikuar dekorimin e qytetit për festa të fund vitit, dhe për shkak të borxheve të akumuluara nga qeverisja e kaluar si dhe mundësive financiare të kufizuara, dekorimi i qytetit nga buxheti komunal nuk mund të realizohet”, deklaroi Kastrati-Idrizi.

Mitrovica

Ajo ka bërë të ditur se për dekorimin e qytetit kanë kontribuar vetëm bizneset lokale, por që kjo nuk është financuar nga ana e komunës, derisa nuk dha një çmim të përgjithshëm për koston e zbukurimit të qytetit.

“Por, dekorimi i qytetit është bërë falë dëshirës dhe vullnetit të treguar të disa bizneseve”.

Ndërsa, iniciativën kryesore për rregullimin e qytetit e kishte marrë vet kryetari i kësaj komune.

“Dekorimi në nivel komune ka qene kërkesë prej kryetarit, kushtimisht me u zhvillu ky aktivitet, qysh në shtator e kemi bo shpalljen”.

Ndryshe, Albanian Post ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga komunat tjera sa i përket shpenzimeve për dekorimin e qyteteve, por që zyrtarët për media të këtyre qyteteve nuk kanë qenë të qasshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore