Sport

Cilat do të jenë katër ekipet e dyta që do të kualifikohen në tetëshen e UEL?


UEFA Europa Ligë do të luajtë katër ndeshjet e fundit të raundit te 16-ave, duke filluar nga ora 21:00. Në fushë do të zbresin Milan-i, Manchester United-i, Rangers-i, Slavia Praha, Villarreal-i, Dynamo Kyiv-i, Young Boys-i dhe Ajax-i.

Në San Siro, Milan-i do të presi Manchester United-in. Ndeshja e parë mes dy ekipeve përfundoi në barazim 1-1. Goli në fushën kundërshtare i avantazhon jo pak kuqezinjtë, që edhe me një barazim pa gola, kualifikohen më tej.

Mario Mandzukiç-i, Rafel Leao dhe Daniel Maldini janë tre mungesa për Milan-in në këtë ndeshje. Për United-in, pritet të mungojnë Juan Mata dhe Phil Jones-i, si dhe janë në pikëpyetje Edinson Cavani, Anthony Martial-i dhe Paul Pogba.

Në Skoci, Rangers-i që është duke bërë një sezon të jashtëzakonshëm në kampionat do të presë çekët e Slavia-s. Ndeshja e parë në Çeki përfundoi me rezultatin 1-1.

Steven Gerrard-it pritet t’i mungojnë, Ryan Jack-u, Nikola Katiç-i dhe James Tavernier-i. Slavia do duhet të bëjë pa David Hovorka-n, Petr Sevcik-un, Ibrahim Traore-n dhe David Zima-ën.

Në Spanjë, Villarreal-i do të presë ukrainasit e Dynamo-s. Ndeshja e parë në Kiev përfundoi me rezultatin 0-2 për spanjollët.

Në ndeshjen e së enjtes, Unai Emery nuk do të ketë në dispozicion Francis Coquelin-in, Vicente Iborra-n, Ruben Pena-n dhe Pau Torres-in.

Në krahun tjetër, Mircea Lucescu-t do i mungojnë, Tudor Baluta, Mykyta Burda, Volodymyr Kostevych-i dhe Benjamin Verbiç-i.

Zvicerianët e Young Boys-it do të presin gjigandët holandez të Ajax-it. Me këta të fundit që ndeshjen e parë e fituan me shifrat 3-0.

Për zvicerianët do të mungojë Michel Aebischer-i. Për Erik ten Hag-un mungojnë Sebastien Haller-i, Noussair Mazraoui, Andre Onana dhe Jurrien Timber-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore