Aplikacione

Cilat do të jenë detyrimet për kompanitë teknologjike sipas legjislacionit të ri të BE-së?


Pasi blloku ra dakord për kushtet e përgjithshme të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), vijnë edhe detyrimet për kompanitë që të marrin më shumë përgjegjësi për përmbajtjen që shfaqet në platformat e tyre.

Ato përfshijnë heqjen e përmbajtjes së paligjshme, shpjegimin e përdoruesve dhe studiuesve se si funksionojnë algoritmet dhe marrjen e masave më të rrepta për përhapjen e keqinformimeve.

Sakaq, kompanitë përballen me gjoba deri në gjashtë për qind të xhiros së tyre vjetore në rast mospërputhjeje.

“DSA do të përmirësojë rregullat bazë për të gjitha shërbimet online në BE”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“I jep efekt praktik parimit që ajo që është e paligjshme offline, duhet të jetë e paligjshme në internet. Sa më e madhe të jetë në përmasa, aq më të mëdha janë përgjegjësitë e platformave online”, ka vijuar.

Kurse komisionerja Margrethe Vestager, ka thënë se akti do të “siguronte që platformat të mbahen përgjegjëse për rreziqet që shërbimet e tyre mund të paraqesin për shoqërinë dhe qytetarët”.

Meqë akti merret me mënyrën se si kompanitë përmbahen në platformat e tyre, ka të ngjarë të ketë një ndikim më të menjëhershëm te përdoruesit e internetit.

Paçka se legjislacioni rëndon mbi BE-në, efekti pritet të ndihet edhe në pjesë të tjera të botës.

Kompanitë globale të teknologjisë mund të vendosin se është më efektive të zbatojnë një strategji të vetme për të kontrolluar përmbajtjen dhe të marrin rregulloret relativisht të rrepta të BE-së si pikë referimi.

Në SHBA, ligjvënësit e etur për të frenuar kompanitë e mëdha teknologjike me rregulloret e tyre kanë filluar të kërkojnë frymëzim nga rregullat e BE-së.

Edhe pse teksti përfundimtar i DSA-së ende nuk është publikuar, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë detajuar një sërë detyrimesh.

Sipas tyre, reklamimi i shënjstruar i bazuar në fe, orientimin seksual ose përkatësi etnike është i ndaluar. Po ashtu të miturit nuk mund t’i nënshtrohen këtyre reklamave.

Të ndaluara janë edhe ndërfaqet mashtruese të krijuara për t’i shtyrë përdoruesit të bëjnë zgjedhje të caktuara.

Platformat e mëdha në internet si Facebook-u do të duhet ta bëjnë funksionimin e algoritmeve rekomanduese transparente për përdoruesit.

Përdoruesve duhet t’u ofrohet gjithashtu një sistem rekomandues “jo i bazuar në profil”.

Platformat online do të duhet të shpjegojnë qartë pse kanë hequr përmbajtjen e paligjshme, si dhe t’u japin përdoruesve mundësinë për të apeluar heqje të tilla.

Kurse platformat më të mëdha në internet do të duhet të ofrojnë të dhëna kyçe për studiuesit për të siguruar më shumë njohuri se si evoluojnë rreziqet në internet.

Sakaq, tregjet në internet duhet të mbajnë informacionin bazë rreth tregtarëve në platformën e tyre për të gjurmuar individët që shesin mallra ose shërbime të paligjshme.

Gjithashtu platformat e mëdha do të duhet të prezantojnë strategji të reja për trajtimin e keqinformimeve gjatë krizave.

DSA-ja, nga ana tjetër, do të bëjë dallimin midis kompanive teknologjike të madhësive të ndryshme, duke vendosur detyrime më të mëdha për kompanitë më të mëdha.

Kështu, firmat më të mëdha do të përballen me shqyrtimin më të madh.

Dhe pikërisht këto kompani kanë lobuar fort për të ulur kërkesat në DSA, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me reklamimin e synuar dhe dorëzimin e të dhënave te studiuesit e jashtëm.

Pavarësisht se kushtet e përgjithshme të DSA-së janë rënë dakord nga shtetet anëtare të BE-së, gjuha ligjore ende duhet të finalizohet dhe akti të votohet zyrtarisht.

Rregullat pritet të zbatohen për të gjitha kompanitë 15 muaj pasi akti të jetë votuar.

 

Marrë nga “The Verge”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore