Lajme

Chollet: Kosova tani më afër se kurrë së ardhmes në BE


Derek Chollet

Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, nëpërmjet një cicërime në rrjetin social Twitter, tha pas Marrëveshjes në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, rruga evropiane e Kosovës është bërë edhe më e qartë.

“Sot e përgëzova kryeministrin Albin Kurti për marrëveshjen e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kosova tani më afër se kurrë me të ardhmen e saj në BE”, shkroi Chollet.

Ndërkaq, diplomati amerikan njoftoi se ka pasur një bisedë telefonike edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilën e ka falënderuar për qasjen konstruktive në takimin e nivelit të lartë në Ohër, vikendin e kaluar.

“E rëndësishme është që të ndërmerren hapa të menjëhershëm për të implementuar dhe për ta përcaktuar rrugën drejt normalizimit dhe integrimeve evropiane. Gjithashtu, e falënderova Serbinë për riangazhimin e saj me SHBA-në në stërvitje të mbrojtjes”, ka shkruar Chollet.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian – Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell – me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Përfaqësuesit e BE-së ia bashkëngjitën këtë letër Propozimit Evropian të dakorduar më herët, më 27 shkurt, dhe shpallën se tashmë kanë një dokument të dakorduar në tërësi. Ky dokument i dakorduar në tërësi, të hënën iu paraqit Këshillit Evropian dhe ata e mirëpritën.

BE-ja tash këtë e konsideron si dokument, të cilin e bën pjesë ligjore të marrëdhënieve kontraktuale me Serbinë në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim në BE, gjegjësisht të marrëdhënieve të veta kontraktuale me Kosovën në aranzhimin special të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore