Lajme

Chollet: Kosova një nga aleatët më të afërt të ShBA-së – Serbia probleme me korrupsion


Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se Kosova është një nga aleatët më të afërt me Shtete e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se ajo përformon mbi kapacitetet e saj.

“Kosova është vendi i pavarur dhe demokratik, dhe është një nga partenrët tonë më të afërt, dhe gjithmonë performon mbi madhësinë e saj, dhe ne e përkrahim integrimin e saj në institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara dhe mezi presim që Kosova të afrohet me NATO-në dhe BE-në dhe dikur të bashkëngjitet me këto institucione”, tha Chollet.

Ndërkaq, ai theksoi se sfida më e madhe e Ballkanit Perëndimor janë marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Aspiratat evropiane si të Kosovës ashtu edhe Serbisë nuk do të ndodhin derisa t’i zgjidhin dallimet në mes tyre, dhe për këtë ne e përkrahim dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja”.

Chollet potencoi se marrëveshja e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Bruksel dhe e përforcuar me aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut është si rezultat i një “diplomacie intensive për disa muaj, të udhëhequr nga BE-ja”.

“Tani ka një rrugë drejt normalizimit ku dy vendet duhet t’i përmbushin obligimet e tyre. Kjo marrëveshje mund të sjellë benefite të mëdha për Kosovën dhe Serbinë”, shtoi ai.

“Mirëpo, kjo është ende e brishtë, na duhet ende kurajo dhe punë që të merremi me dy palët që t’i kryejnë obligimet e marra”.

Në bisedat që i ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai tregoi se i ka kërkuar që “ata duhet ta qojnë përpara marrëveshjen për normalizim”.

“Nuk ka ndonjë zgjidhje magjike, duhet kurajo politike për të dy liderët, sepse na ndihmon që t’i menaxhojmë rreziqet”, pohoi ai.

Chollet përkundër se dha disa kritika për Beogradin, gjithashtu nënvizoi se do të vazhdojnë që të bashkëpunojnë me Serbinë, në mënyrë që të thellojnë bashkëpunimin në mes vendeve, dhe “që orientimi i saj të jetë i qartë”.

“Serbia ka sfida të mëdha që nga korrupsioni deri tek shpërndarja e naftës ruse”.

Këshilltari i lartë në departamentin amerikan të Shtetit pohoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është prioritet i administratës së presidentit të ShBA-së, Joe Biden.

“Shumë prej nesh në administratën Biden jemi marrë që shumë kohë me këtë çështje, qysh prej luftës së dhunshëm në Jugosllavi në fillim të viteve ’90-ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore