Lajme

Chollet flet me Vuçiç: I kërkova kthim në rrugën e normalizimit


Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka njoftuar se ka biseduar të premten me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku i ka kërkuar që të ndërmarrë hapa për ta qetësuar situatën në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje, ku protestuesit e dhunshëm serbë kanë sulmuar trupat paqeruajtëse të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Përmes një cicërime në Twitter, Chollet tha se “inkurajova dje presidentin serb Vuçiç që të nxisë qetësinë mes serbëve të Kosovës”.

“Të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në zbutjen e krizës në veri të Kosovës dhe të kthehet në rrugën e normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi ai në Twitter.

Ndryshe, kjo telefonatë vjen pas gjendjes së krijuar në Veri të Kosovës, kjo pasi që kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet 23 prill, Qeveria mori vendim që Policia t’i asistoi për t’i futur në zyrat e tyre, çka shkaktoi reagimin e ashpër të serbëve lokalë, të cilët ishin tejet të dhunshëm në kundërshtimet e tyre.

Policia e Kosovës u detyrua që të përdorë gaz lotsjellës dhe shok bomba për t’i shpërndarë protestuesit e dhunshëm serbë.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën, ku protestuesit e dhunshëm serbë u përleshën me ushtarët paqeruajtës të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga sulmet e dhunshme të serbëve mbetën të lënduar 41 ushtarë, pjesa më e madhe e të cilëve ishte italianë dhe hungarezë.

Ndërkaq, nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë kundërshtuar Qeverinë e Kosovës për vendimin që kryetarët të vendosen në zyrat e tyre, madje nga ShBA-të u theksua se kjo mund të ndikonte në marrëdhëniet në mes të dy vendeve.

Në një takim të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, nga këta të fundit u kërkua që Kosova të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat Veriore, dhe po ashtu kërkuan që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje.

Ndërsa, edhe Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, përmes një komunikate për media, ka kërkuar në mënyrë imediate që Kosova dhe Serbisë të marrin masa për të de-përshkallëzuar situatën në Veri të Kosovës.

Borrell, në emër të 27 vendeve anëtare të Unionit, ka kërkuar gjithashtu nga Kosova dhe Serbia të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar.

“Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht. BE-ja është i gatshëm të zbatojë masat e vendosura. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative.”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Unioni.

Diplomati spanjoll ka përsëritur gjithashtu edhe pikat të cilat duhet t’i zbatojë Kosova në mënyrë që të shtensionohet situata në pjesën veriore të Kosovës.

“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo shkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje”.

Në këtë komunikatë për media, Borrell, është mjaftuar duke shprehur vetëm shqetësimin e Unionit për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe, pa kërkuar largimin e tyre nga brezi kufitar me Kosovën.

Borrell gjithashtu ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi e të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në Veri të Kosovës.

“BE-ja pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialog për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në Veri të Kosovës që garanton siguri dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj. Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”.

Borrell eksplicit: Të shpallen zgjedhjet, policia të largohet menjëherë

Bujar Osmani shpalos planin me 9 pika të OSBE-së për de-eskalim ne Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore