Lajme

Chollet e pret Kurtin: Përparimi në dialog, çelësi për të ardhmen evropiane të Kosovës


Derek Chollet dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pritur në takim nga Këshilltari special i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Takimi në fjalë u njoftua nga vetë, Chollet, i cili përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter, ka bërë të ditur se në mesin e temave ka qenë edhe dialogu Kosovë-Serbi, e cila sipas tij është çelësi për të ardhmen evropiane të Kosovës.

“Më vjen mirë të shoh kryeministrin e Kosovës Kurti dje për të diskutuar prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë përparimin në Dialogun Kosovë-Serbi, çelësi për të ardhmen evropiane të Kosovës. E falënderoi atë për pritjen e afganëve dhe ritheksoi përkushtimin e vendosur të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka shkruar Chollet.

Takimin në fjalë e ka njoftuar edhe i pari i ekzekutivit, i cili ka shpërndarë postimin e Chollet në Twitter.

“I nderuar nga ftesa e Derek Chollet në Departamentin e Shtetit për takimin tonë të parë personal. Presim vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh me SHBA-të për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, vizituan SHBA-të, me ftesë të familjes Albright, ku morën pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë në moshën 84 vjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore