Sport

Champions League/ Inter-i kërkon të rikthejë dinjitetin e munguar në Evropë


Skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi, Inter-i, do të përballet në ndeshjen e tretë në fazën e grupeve të Champions League me moldavët e Sheriff-it.

Zikaltrit dhe skuadra nga Tiraspoli janë në kushte krejtësisht të ndryshme në renditje. Deri më tani, moldavët janë surpriza e madhe. Ata kryesojnë Grupin G me gjashtë pikë, duke lënë pas Real Madrid-in, Inter-in dhe Shakhtar-in.

Renditja e Grupit G

Një pikë ka Inter-i në renditje, të cilën e mori pas barazimit pa gola me ukrainasit e Shakhtar-it. Ndërkohë, ndeshjen e parë e humbi me rezultatin minimal 1-0 përballë Real Madrid-it.

Në ndeshjen e të martës, që do të fillojë nga ora 21:00 në “Giuseppe Meazza”, Inter-i do të kërkojë tri pikëshin dhe dinjitetin e munguar në garën Evropiane.

Sfidën do e drejtojë gjyqtari holandez, Danny Makkelie. Një tjetër holandez do të jetë përgjegjës në këtë sfidë, në VAR, Jochem Kamphuis-i.

Kjo do të jetë përballja e parë zyrtare mes zikaltërve dhe Sheriff-it. Moldavët janë ndër klubet më të reja që konkurojnë në Kupat e Evropës. Ata janë themeluar 24 vite më parë, në vitin 1997.

Edhe pse me një histori 24 vjeçare, Sheriff-i në Moldavi numëron 19 kampionate, 10 Kupa dhe shtatë Superkupa.

Në krahun tjetër, Inter-i, një nga skuadrat më të njohura dhe më të mëdha në botën e futbollit, pas tripletës së fituar në vitin 2010, nuk ka pasur sukses këto vite. Vetëm një trofe të Serie A kanë fituar, atë në sezonin e kaluar.

Vjet zikaltrit nuk arritën të kalonin fazën e grupeve të Champions League. Real Madrid-in dhe Shakhtar-in i kishin në grup dhe atëherë. Së bashku me to ishte dhe Borussia Monchengladbach-u.

Inter-i e përfundoi fazën e grupeve në vendin e fundit, duke i dhënë lamtumirën garimit të mëtejshëm në Kupat e Evropës.

Këtë sezon, Inter-i vjen me prestigjin e kampionit të Serie A dhe padiskutim një skuadër më e organizuar dhe që do të kërkojë me patjetër kalimin në raundin e 16 më të mirave të Evropës.

Nëse arrin të marrë tri pikët e plota ndaj Sheriff-it, për Inter-in do të jetë më i lehtë kalimi në raundin tjetër. Nëse jo, gjërat komplikohen jo pak, me tre ndeshjet e mbetura, pasi dy do i ketë në transfertë. Praktikisht një në Madrid dhe një në Tiraspol.

Për Sheriff-in është gjithashtu interesant fakti që e ka nisur Champions League-n, që nga raundi eleminator.

Teuta ishte skuadra e parë që do të eleminonin moldavët pas fitoreve 4-0 në Durrës dhe 1-0 në Tiraspol.

Formacionet e mundshme

Sipas “La Gazzetta dello Sport” dy skuadrat do të rreshtohen:

Inter 3-5-2: Handanovic; Bastoni, De Vrij, Skrinar; Dimarco, Vidal, Brozovic, Barella, Darmian; Martinez, Dzeko.

Sheriff 4-2-3-1: Celadnic; Cristiano, Dulanto, Arboleda, Costanza; Thil, Addo; Castaneda, Kolovos, Traore; Bruno Souza.

Përballja tjetër në Grupin G

Ndeshja tjetër e këtij grupi do të jetë ajo mes Real Madrid-it dhe Shakhtar-it. Madrilenët u surprizuan nga Sheriff-i në fushën e tyre, pas atij goli që iu dha miqëve fitoren në minutën e 89.

Edhe për Real-in, ashtu si për Inter-in ndeshja e kësaj të marte është me shumë rëndësi për kalimin në raundin tjetër. Tre pikë ka Real-i në renditje, një pikë kanë ukrainasit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore