Përballje

Champions/ Barcelona kërkon kualifikimin ndaj Bayern Munich


Mbrëmjen e së mërkurës do të zhvillohen edhe tetë ndeshjet e fundit të grupeve, të këtij edicioni në Ligën e Kampionëve.

Kryendeshja e kësaj mbrëmje do të luhet në “Allianz Arena”, aty ku Bayern Munich do të përballet me Barcelonën.

Ky takim përbën shumë rëndësi për Barcelonën, pasi që ata duhet të fitojnë, për t’u kualifikuar në fazën tjetër të Champions-it, në rast se rivali për vendin e dytë, Benfica e mposht Dinamo Kyiv-in.

Ndërsa për Bayern-in, kjo do të jetë vetëm një ndeshje statistikash, pasi që ata tashmë kanë siguruar vendin e parë të Grupit E, ku në pesë ndeshjet e para, kanë korrur po aq fitore.

Barcelona aktualisht mban vendin e dytë në këtë grup, me shtatë pikë të grumbulluara, derisa pas tyre vjen Benfica me pesë.

Pra, në rast se Benfica arrin fitore ndaj ukrainasve të Dinamo-s, atëherë Barçës medoemos do t’i duhej fitorja, për të mbajtur vendin e dytë në grup.

Në këtë rast as barazimi nuk do t’i kryente punë Barcelonës, pasi që nëse kanë pikë të njëjta me Benfica-n, atëherë portugezët qëndrojnë më mirë në ndeshje direkte.

Katalanasit do të udhëtojnë në këtë sfidë me shumë mungesa si: Ansu Fati, Pedri, Sergi Roberto e
Martin Braithëaite, ndërsa në dyshim është edhe Jordi Alba.

Ndërsa edhe bavarezët do të kenë mungesa, ku nuk do të paraqiten Gnabry, Gortska, Kimich, Sabitzer e Choupo-Moting.

Kujtojmë që ndeshjen e parë të zhvilluar në Barcelonë, arriti të triumfonte Bayern-i me shifrat 0:3.

Ndërsa, këto skuadra janë përballur shtatë herë mes tyre, që nga vitit 2013, prej të cilave gjermanët kanë bilanc dukshëm më të mirë, me gjashtë fitore, kundrejt një suksesi të spanjollëve.

Ndeshja Bayern Munich-Barcelona do të zhvillohet në “Allianz Arena” me fillim nga ora 21:00, e cila do të luhet pa praninë e tifozëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore