Sport

Challandes tregon arsyen pse nuk e ftoi Mirlind Dakun te Kosova


Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, nuk e kishte ftuar futbollistin Mirlind Dakun, për ndeshjet kualifikuese që Kosova i zhvilloi kundër Suedisë dhe Spanjës, si dhe miqësoren ndaj Lituanisë.

Edhe pse Daku, kishte arritur kuotën e 26 golave në Superligën e Kosovës me klubin e tij Ballkani, Challandes prapë nuk e ftoi atë në ekipin kombëtar.

Në një emision në televizionin Klan Kosova, zviceranit disa herë iu drejtua pyetja pse nuk e ftoi Mirlindin  në ndeshjet e marsit, dhe se u akuzua nga shumë njerëz se nuk po e vlerëson aq sa duhet Superligën e Kosovës, mirëpo 69-vjeçari i mohoi këta akuza.

“Për mua nuk është problemi te liga e Kosovës, por problemi është te konkurrenca në ekip. Puna ime është që të zgjedh 23 futbollistë për ta përfaqësuar Kosovën, e jo të marr dikë për qejf të njerëzve të Kosovës”, theksoi Challandes.

Edhe pse Daku kishte paraqitje shumë të mira në Superligë, Challandes thotë se liga e Kosovës nuk mund të krahasohet me ligat e tjera evropiane.

“Nuk mund të krahasohet një sulmues i ligës së Kosovës me një që luan në ligat më të forta evropiane. Për shembull, nëse Rashica nuk shënon apo nuk ka paraqitje të mirë me Werder Bremen, a mendoni se nuk duhet ta ftoj atë”, shtoi ai.

Por në fund zvicerani tha se dëshiron dhe shpreson që në ndeshjet e ardhshme të jepet hapësirë për Dakun dhe disa futbollistë tjerë.

“Ne kemi folur, kemi pasur kontakt dhe shpresoj që në qershor t’i kem disa mundësi për t’i dhënë kohë disa lojtarëve si Daku dhe disa të tjerë që të vijnë në ekip”, përfundoi Bernard Challandes.

Në Fund Challandes tha se është i lumtur të Kosova, dhe se gjithnjë mendon dhe punon për më të mirën e ekipit, dhe për ta dërguar sa më lartë që të jetë e mundur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore