Sport

Challandes: Fitorja ndaj Spanjës ishte e pamundur


Trajneri i Kombëtares së Kosovës Bernard Challandes në deklaratën e dhënë pas ndeshjes kundër Spanjës, tha se ishte shumë i kënaqur me lojën e ekipit të tij, për faktin që nuk pësuam më shumë gola nga spanjollët.

Ai madje thotë se është e pamundur të fitohet ndaj Spanjës.

“Spanja i shënoi gjashtë gola Gjermanisë, e përsëris gjashtë gola. Progresi ynë ka ndodhur prej vitit 2018. Nuk jeni në planetin e duhur nëse mendoni se duhet të fitonim ndaj Spanjës. Progresi është një rrugëtim i gjatë”, u shpreh trajneri zviceran.

69-vjeçari tha se nuk duhet të presim një progres ndaj skuadrave si Spanja dhe Suedia, ai nuk kritikon Dardanët për lojën e luajtur, pasi që sipas tij Kosova luajti ndaj një kundërshtari të cilët luajnë futboll të përkryer.

“Nuk mund t’i them diçka skuadrës, pasi luajtëm kundër një ekipi shumë të fortë. Ata nuk ia japin topin kundërshtarit, mënyra se si lëvizin është një futboll perfekt. Përfundimi i aksioneve mund të mos jetë më i miri, por është gati e pamundur të luash kundër një ekipi si Spanja. Nëse bën presing, ata të kapin në kundërsulm”.

“Lojtarët tanë vrapuan, provuan, por nuk ishte e mjaftueshme ndaj një skuadre kaq të fortë. Nuk mund të thoni që nuk kemi bërë progres. Kemi luajtur kundër Suedisë dhe Spanjës, dy skuadra shumë të forta, shumë të forta. Kujtoni se do fitojmë? Ndaj këtyre skuadrave prisni progres?!”, shtoi ai.

Challandes e sheh shumë të vështirë kualifikimin në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, ai thotë se nuk duhet të kritikohet skuadra, kur ajo humbet përballë një ekipi siç është Spanja.

“Mund të kritikoni trajnerin, por jo lojtarët. Skuadra ka probleme, por nuk ishim përballur kurrë me një skuadër të tillë. Ne jemi Kosova, vetëm 12 kombëtare evropiane do të shkojnë në Katar 2022, e kuptoni sa e vështirë është përballë ekipeve si Spanja”, tha trajneri i Kosovës.

Në fund, ai u pyet edhe për mos aktivizimin në fushë të mbrojtësit anësor Leart Paqarada.

“Unë i besoj skuadrës, por duhet të jemi të durueshëm, i dimë kualitetet tona. Pse nuk luajti Paqarada në vend të Kolollit? Kololli luan në disa pozicione, në sulm dhe në mbrojtje. Është disi më i fortë, por edhe Paqarada është një lojtar i mirë” përfundoi Bernard Challandes.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore