Sport

Challandes: Duhet të shënojmë ndaj Spanjës për të arritur sukses


Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, në konferencën për media para ndeshjes ndaj Spanjës ka thënë se Kosova do të jetë e motivuar në këtë ndeshje për shkak të rëndësisë së kundërshtarit dhe lojtarëve që ka përpara.

Pas humbjes ndaj Suedisë, e dimë që nuk do të jetë lehtë as ndaj Spanjës. Do të jetë nder të luajmë ndaj një ekipi kaq të madh, do të jetë ndeshje e vështirë për ne. Këtu jemi për rezultat të mirë, por për të arritur këtë duhet të shënojmë.”

“Sa i përket Enriques, unë nuk mund të flasë për taktikat e tij, por e di që ai ka shumë opsione për ndeshjen ndaj nesh. Unë jam duke menaxhuar Kosovën dhe problemi im i vetëm është ta bëj këtë sa më mirë ndaj Spanjës.” theksoi fillimisht Challandes.

69-vjeçarit nuk i pëlqen aspak të flasë për politikën midis Kosovës dhe Spanjës, madje ai u shfaq i nervozuar kur gazetarët ia bënë këtë pyetje, ku tha që detyra e tij është vetëm të përgatis lojtarët e tij për një ndeshje sa më të mirë.

“Unë jam tekniku i Kosovës dhe nuk flas për politikë. Jam trajner futbolli. Ne jemi Kosova dhe luajmë kundër Spanjës. Detyra ime është të përgatis lojtarët për këtë ndeshje. Nuk do të jetë lehtë. Por, do të mundohemi të gjejmë situata për të vënë Spanjën në vështirësi. Ne luajmë futboll ofanziv, sipas filozofisë që kemi. Por kësaj radhe duhet të jemi shumë më të kujdesshëm në mbrojtje. Shpresojmë të shënojmë.” shtoi ai.

Ndërkohë Challandes u pyet nëse sjellja e mediave spanjolle mund të shërbejë si një motivim shtesë për Kosovën, ai iu përgjigj:

Ne natyrisht nuk jemi të kënaqur kur po shohim gjëra të tilla nga mediat spanjolle. Na jep natyrisht motivim. Por kjo gjë vjen edhe natyrshëm, pasi që duhet bërë lojë të madhe ndaj lojtarëve të mëdhenj. Kjo është edhe sfidë e madhe.” – përfundoi trajneri i Kosovës, Bernard Challandes.

Kosova dhe Spanja do të përballen të mërkurën në ora 20:45 në stadiumin “La Cartuja” të Sevillas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore