Muzikë

Çfarë Weeknd-i!


The Weeknd performon në pushimin e ndeshjes të Super Bowl LV

Holograme, koreografi, piroteknikë, kthim pas në kohë dhe një narrativë mbreslënëse e 10 viteve karrierë. Ylli i vërtetë i Super Bowl-it, ishte The Weeknd!

Artisti kanadez, Abel Tesfaye, i njohur në skenë si The Weeknd, pati detyrën e vështirë të mbulonte gjithë performancën e pushimit të ngjarjes më të madhe sportive në SHBA. Ai jo vetëm ia doli, por tejkaloi çdo pritshmëri, me interpretimin e tij prej 14 minutash.

E gjithë vëmendja gjatë pushimit të ndeshjes u zhvendos tek muzikanti. Ai cili vazhdoi narrativën e tij të albumit të fundit, After Hours, gjatë performancës. Këtë herë, gjithsesi, ai nuk u mjaftua me kaq. Në të, u gjet vend edhe për etapa të rëndësishme të karrierës së tij, që datojnë që prej vitit 2011.

Hiteve botërore si Starboy, The Hills, I can’t feel my face, Save your tears, I feel it coming, Earned it dhe Blinding Lights, iu shtua performanca marramendëse e këngëtarit dhe trupës së tij të baletit.

Qindra figurantë ishin pjesë e gjithë orkestrimit. Një mur holografik në formën e një kori kishtar, ishte vendosur në tribunën kryesore të stadiumit. Pikërisht aty Tesfaye bëri daljen e parë, duke u zhvendosur më pas në pjesë të ndryshme.

Në një spektakël vizual, The Weeknd mahniti jo vetëm të pranishmit, por dhe gjithë botën që po ndiqte eventin drejtpërdrejt në media sociale.

Zbritja e tij në fushën e blertë, shenjoi kulmin e performancës

Kanadezi është prezantuar gjatë dy eventeve të mëdha muzikore kohët e fundit: MTV VMA-s dhe American Music Awards. Në të dyja këto, ai ka mahnitur publikun me spektaklin e fishekzjarreve në fund të çdo performance.

Sigurisht që një gjë e tillë, nuk mund të mungonte në finalen e madhe të Super Bowl-it. Dritat verbuan jo vetëm The Weeknd, por të gjithë, me në sfond zërin e tij kumbues, i cili klithi emrin e qytetit ku finalja zhvillohej, Tampa Bay.

Hiti Blinding Lights, ka thyer në mënyrë të padiskutueshme çdo rekord të renditjeve amerikane. Për shkak të staturës së ngjarjes, kënga merrte një kuptim akoma më domethënës, në mbylljen e spektaklit të pushimit të ndeshjes.

The Weeknd harxhoi jo pak, por 7 milionë dollarë nga llogaria e tij, për të zhvilluar ëndrrën që shumë artistë e kanë: Mbulimin e një prej spektakleve më të mëdha në botë.

Atij i mungonte skena, dukej qartë në çdo notë që dilte nga kordat vokale. Viti pandemik i ka lënë artistët larg publikut. Ky i The Weeknd, ishte një privilegj i vërtetë, pasi në stadium ishin 25 mijë të pranishëm. Për këta të fundit dhe për gjithë botën ndërkohë, ishte privilegj të shihnin atë që lehtësisht, mund të quhet performanca më e jashtëzakonshme post-Covid 19.

Për ta përshkruar, ka vetëm një akronim, WaW: What a Weeknd (Çfarë Weeknd-i)!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore