Sport

Çfarë po ndodh me Vllazninë? Kadija plas ‘bombën’


Këtë sezon Vllaznia e nisi Kategorinë Superiore në mënyrën më të mirë të mundshme, duke qëndruar në krye të klasifikimit, ku është dhe aktualisht. Por, tashmë, ka humbur diferencën e pikëve me vendin e dytë.

Shkodranët qëndrojnë në krye me 41 pikë, pas 22 javësh të luajtura. Pas tyre renditen Laçi dhe Teuta, me nga 40 pikë dhe Partizani me 39 pikë.

Një gabim në ndeshjen e radhës dhe kuqeblutë mund ta shohin veten në vendin e tretë, gjithmonë nëse ekipet poshtë tyre fitojnë.

Pyetja që bën çdo tifoz i Vllaznisë, apo ndjekës i Superiores është: Çfarë ndodhi me Vllazninë?

Shkodranët në shtatë ndeshjet e fundit kanë arritur të marrin vetëm një fitore. Atë përballë Apolonisë së vendit të nëntë në renditje dhe një fitore minimale 1-0.

Në gjashtë ndeshjet e tjera numërojnë tre barazime dhe tre humbje. Me Kastriotin dhe Partizanin me rezultate 0-0 dhe me Skënderbeun 1-1. Humbjet kanë ardhur përballë Laçit dhe Tiranës, me rezultatin 1-2 dhe me Teutën 1-0.

Brisela Kadija, kryetare e Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Shkodrës, ka reaguar nëpërmjet një postimi në median sociale, rreth situatës së klubit.

Në postimin e saj, Kadija, përveç problematikave ngritur me zërat rreth mënyrës që po bëhet privatizimi i klubit të Vllaznisë, apo dhe përplasjet politike me kryetaren e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, ka përmendur edhe diçka më “të errët”.

“Së fundi, pse nuk shqetësohet askush për zërat që qarkullojnë me tone të ulëta, që sportistët kanë muaj pa marrë pagat, ndërkohë që ne si Këshill Bashkiak i kemi shprehur që në nëntor 2020, Kryetares së Bashkisë vullnetin e mirë për të alokuar fond të veçantë për të mbuluar nevojat e KF në mënyrë që klubi të ketë stimul të ruajë performancën dhe mbarëvajtjen?”, ka shkruar Kadija në postimin e saj.

Nga Bashkia e Shkodrës akoma nuk ka ndonjë reagim lidhur me këtë çështje dhe pritet në vazhdim se çfarë do të ndodhë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore