Aplikacione

Çfarë plani kishte Frances Haugen?


Denoncueses së kompanisë Facebook, Frances Haugen, nuk i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes, por teksa po punonte në perandorinë e mediave sociale të Mark Zuckerberg u detyrua të vepronte.

Kështu, u kthye në një të famshme, shkruan e përditshmja “The Guardian”.

“Kur shikoj atë që bëra, nuk ishte plani im A. Nuk ishte plani im B, nuk ishte plani im C. Ishte si plani im J apo diçka tjetër…askush nuk më uli dhe më tha çka dua të bësh është denoncimi”, ka treguar.

Por ja që pikërisht këtë bëri Haugen.

Në maj të këtij viti, ajo la pozicionin e saj si menaxhere produkti në gjigantin e mediave sociale dhe mori me vete dhjetëra mijëra dokumente të brendshme.

Dokumente, të cilat kanë shkaktuar një vorbull akuzash, duke përfshirë atë se Facebook-u e dinte se produktet e tij po dëmtonin shëndetin mendor të adoleshentëve, po nxisnin dhunën etnike në vende të tilla si Etiopia dhe nuk po frenonin keqinformimet përpara trazirave të 6 janarit në Washington.

Jo më larg se të hënën, Haugen do t’i çojë pikëpamjet e saj dënuese për kompaninë në Westminster kur të dëshmojë para deputetëve dhe kolegëve.

Ndërkohë, Facebook-u hyn më thellë në krizë.

37-vjeçarja ka treguar se pika e kthesës erdhi kur ajo u transferua me nënën e saj, e cila kishte hequr dorë nga një karrierë akademike për t’u bërë klerikë.

“Jam me të vërtetë me fat që nëna ime është një klerikë”, ka rrëfyer Haugen, e cila lindi dhe u rrit në Iowa.

“Vitin e kaluar, jetova me të për gjashtë muaj dhe pata një shqetësim kaq të thellë sepse po i shihja këto gjëra brenda Facebook-ut dhe isha e sigurt se nuk do të rregullohej brenda vetë atij”, ka thënë ajo.

Shqetësimet e saj për mungesën e dukshme të kontrolleve të sigurisë në tregjet jo-anglisht folëse, si Afrika dhe Lindja e Mesme, ku platforma po përdorej nga trafikantët e qenieve njerëzore dhe grupet e armatosura në Etiopi, ishin një faktor kyç në vendimin e saj për të vepruar.

“Bëra atë që mendoja se ishte e nevojshme për të shpëtuar jetët e njerëzve, veçanërisht në jugun global, të cilët mendoj se po rrezikohen nga prioritizimi i fitimeve ndaj njerëzve nga Facebook-u. Nëse nuk do t’i kisha sjellë ato dokumente, nuk do të dilnin kurrë në dritë”, ka sqaruar ish-punonjësja.

Haugen ka treguar se miqtë dhe familja e saj kanë qenë mbështetës që kur ajo doli këtë muaj si burimi i një serie zbulimesh të “Wall Street Journal” bazuar në dokumentet e saj.

“Një shoqe e imja, menjëherë para se të jepja dëshminë, më tha këtë thënie të mrekullueshme, të cilën e përsëris me vete kur kam ankth, që është, nuk ka të bëjë me ty: ti je përçuesja e dokumenteve”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, për lëvizjen që ka bërë, ka treguar se “ndihem shumë me fat që jetoj në Porto Riko sepse askush nuk më ka njohur ndonjëherë këtu”.

“Mendoj se nëse do të jetoja ende në San Francisko do të ishte vërtetë e stresuar sepse jam e sigurt që njerëzit do të më njihnin atje, kurse në San Juan është shumë më e lehtë të qëndrosh i arsyeshëm. Këtu mund të shkoj për të notuar, mund të shkoj në ndonjë nga tregjet e vogla dhe thjesht ndihem si një person normal”, ka shtuar ajo.

Ka edhe arsye shëndetësore për lëvizjen në Porto Riko, shkruan “The Guardian”.

Një dekadë më parë, ajo u diagnostikua me një sëmundje dhe në vitin 2014 hyri në një njësi të kujdesit intensiv prej një mpiksje gjaku në kofshën e saj. Ajo u shërua, por ende ka dhimbje nga dëmtimi i nervave në këmbë.

Dokumentet që ajo zbuloi akoma vazhdojnë të bëjnë bujë, me një publikim të ri të raporteve në ato memorandume nga një grup organizatash mediatike, përfshirë “New York Times”.

Këtë fundjavë, u raportua se Facebook-u dështoi përpjekjen e tij për të frenuar gjuhën e urrejtjes përpara trazirave të 6 janarit në Washington dhe se punonjësit vazhdimisht shfaqën shqetësime para dhe pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, kur Donald Trump u përpoq të përmbyste fitoren e Joe Biden.

Zbulimet kanë qenë të pamëshirshme që kur “Wall Street Journal” nisi të raportonte mbi dokumentet dhe të jepte përshtypjen e një kompanie që nuk është në gjendje ose nuk dëshiron të luftojë pasojat.

Familja e aplikacioneve të Facebook-ut, duke përfshirë platformën kryesore, Facebook Messenger, Instagram dhe WhatsApp, përdoret nga 2.8 miliardë njerëz në ditë.

Për Haugen, Zuckerberg është një pjesë e madhe e problemit.

Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Facebook-ut, kontrollon shumicën e aksioneve në kompani, gjë që e bën pozicionin e tij të pakundërshtueshëm. Kjo duhet të ndryshojë sipas Haugen dhe ajo beson se investitorët e pavarur do të kërkonin ndryshim nëse do të mundnin.

“Ai ka të gjithë kontrollin. Ai nuk ka asnjë mbikëqyrje dhe nuk ka treguar se është i gatshëm ta qeverisë atë kompani në nivelin që është i nevojshëm për sigurinë publike”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, ajo shpreson që Zuckerberg dhe kolegët e tij të lartë të dëgjojnë.

“Kam shpresën se zbulimi im do të jetë mjaft i madh dhe do të ketë mjaft ndikim”, ka shpresuar denoncuesja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore