Lajme

Çfarë përmbajnë “shkopi” dhe “karota” e BE-së, që Lajçak i përmendi shkarazi?


Ilustrim: Aleksandër Vuçiç, Miroslav Lajçak dhe Albin Kurti

Në rast se Kosova e Serbia nuk tregohen fleksibile dhe konstruktive në procesin e dialogut pason shkopi ose varësisht nga rezultati karota.

Kështu të paktën ka deklaruar i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke nënvizuar faktin se komuniteti ndërkombëtar në baza ditore po gjykon veprimet e Prishtinës dhe Beogradit në dialog, në atë mënyrë që të zhvillojë politikat dhe të kalkulojë për bashkëpunimin në të ardhmen me dy këto vende.

“Komuniteti ndërkombëtar di çdo detaj rreth dialogut. Bashkësia ndërkombëtare po e sheh dialogun si një platformë përmes së cilës merr vendime në raport me bashkëpunimin me dy këto vende në të ardhmen. Pra, në rast se njëra palë do të shihet si penguese ose jo-konstruktive sigurisht që një gjë e tillë do të ndikojë seriozisht në gjykimin e tyre për të ardhmen”, ka deklaruar Lajçak në një intervistë për Kanal 10.

Por, çka përmban shkopi dhe karota në rastin e Kosovës dhe Serbisë?

Diplomati sllovak nuk është lëshuar në detaje, paçka se ka deklaruar që pa përparim në dialog nuk ka përparim as në të ardhmen evropiane.

“S’mund të flasë në terma specifike, mirëpo shkopi në këtë rast qartazi është bllokimi i anëtarësimit në BE. Në anën tjetër Bashkësia ndërkombëtare duke gjykuar veprimin e palëve në dialog mund të marrë vendime për bashkëpunim në të ardhmen dhe për projektet në të ardhmen”, ka shtuar ai.

Për ligjëruesin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, Serbia do të jetë ajo e cila do të humbë më së shumti në rast se nuk sillet si palë bashkëpunuese në bisedime, e jo Kosova.

Përkundrazi thekson ai, Kosova ka çka fiton në rast se tregohet e zgjuar dhe e zhdërvjellët në këtë proces.

“Kosova, kushtimisht, mund të dënohet me mos liberalizimin e vizave, një proces i cili ka hyrë në agjendën e procedurave prandaj i njëjti është shumë vështirë të refuzohet, por mund të prolongohet, pra kjo është i vetmi shkop që mund ta marr Kosova”, ka thënë Arifi për Albanian Post.

Dritëro Arifi dhe Ibrahim Gashi

Serbia në anën tjetër, sipas Arifit, mund të penalizohet shumë.

“Pra, mund të ndalohen të gjitha fondet e BE-së, mund të ndërpriten negociatat për anëtarësim, mund të rikthehet edhe regjimi i vizave. Serbia ka shumë çka humbe e jo Kosova në këtë rast”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër për, Ibrahim Gashin, profesorin universitar, shkopi dhe karota janë dy instrumente që përdoren si formulë nga negociatorët për arritjen e suksesit final.

“Lëvizja e palës kosovare përpara në procesin e dialogut do të duhej të kishte si shpërblim njohjen nga 5 vendet mos-njohëse të Bashkimit Evropian”, ka thënë Gashi për Albanian Post.

Gashi ka nënvizuar faktin se në procesin e dialogut presioni i ndërmjetësit të BE-së gjithmonë është orientuar drejtë palës kosovare, duke shtuar se një gjë e tillë duhet të ndryshojë në të ardhmen.

“Serbia ka pranuar vetëm karota dhe asnjëherë shkopinj. Ajo pa bërë pothuajse asnjë veprim në zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe me një obstruksion të vazhdueshëm, ka avancuar shumë në procesin e integrimit në BE. Prandaj shpresoj që ndërmjetësit evropian tash e tutje do të jenë të paanshëm”, ka shtuar ai.

Dialogu Kosovë-Serbi në muajt e kaluar ka hyrë në një fazë shumë më dinamike.

Kjo pas propozimit franko-gjerman, apo siç është pagëzuar së fundmi si plani i BE-së i mbështetur nga Franca e Gjermania, e të cilin Albanian Post e kishte publikuar pjesërisht me 18 shtator e tërësisht me 12 nëntor.

Përpos kësaj, Albanian Post, më 20 tetor, kishte siguruar skenarin e prezantuar për para marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Aty përveç se saktësohej data e arritjes së marrëveshjes së parë në kuadër të dialogut, datë e konfirmuar edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, theksoheshin edhe shkopinjtë ose karotat, varësisht nga rezultati.

Sipas këtij propozimi nëse palët bëhen pjesë e këtij plani të ri ndërkombëtar shpërblehen me pako financiare.

Ndërsa nëse palët tregohen jo-bashkëpunues pason shkopi i rëndë për palën penguese.

Ekskluzive: Kjo është rruga e para-marrëveshjes Kosovë – Serbi, gjithçka duhet të kryhet para datës 24 shkurt ose pason “shkopi i rëndë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore