Lajme

Çfarë ndodhi me raportin e Amnesty International?


Raporti i diskutueshëm i “Amnesty International” për Ukrainën pasoi me një dorëheqje dhe një ndjesë publike për ata që janë ndjerë keq prej saj.

Por çfarë ndodhi fillimisht me raportimin e organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Gazetari italian Cristiano Tinazzi i cili është i fokusuar në zonat e luftës dhe krizës zbulon detaje të reja.

“Në qershor isha në Mykolaiv, në jug të vendit. Çdo ditë rusët bombardonin lagjen ku isha unë me artileri, raketa dhe bomba thërrmuese”, tregon fillimisht ai.

Madje, ai vëren se njëra prej raketave shpërtheu 300 metra larg tij.

Pas këtij incidenti, Tinazzi u largua 5 kilometra nga forcat ruse dhe jetoi për rreth 10 ditë afër lumit Dnieper.

“E njëjta situatë, granatimet e vazhdueshme ruse mbi fshatin. Artileria ukrainase nuk ishte në fshat. Ishte larg”, shpjegon gazetari.

Tinazzi deklaron se ato ditë është kontaktuar në Facebook nga Amnesty International për ta pyetur për situatën.

“Unë u dhashë numrin tim ukrainas të telefonit. Asgjë. E kontaktova përsëri personin, ai e lexoi dhe as nuk më ktheu përgjigje. Pastaj del ai raport. Krejtësisht i dekontekstualizuar nga konflikti i vazhdueshëm”, thekson gazetari italian.

Ai shkruan se e lexoi raportin me mirëbesim dhe iu kujtua që ka fjetur në një shkollë të dikurshme ku kishte një batalion.

Por, shtoi Tinazzi, nuk kishte mjete të blinduara apo artileri. Një vend për të fjetur, për të marrë rotacion nga vija e frontit dhe për të ushqyer qindra ushtarë.

“Një ditë u evakuuam. Komandanti kishte marrë një raport inteligjence për një bombardim të mundshëm rus të objektit dhe evakuoi ndërtesën nga frika se mund të përfshiheshin civilë në zonën përreth, si dhe ushtarët e tij”, rrëfen gazetari duke pyetur veten pasi lexoi fjalët e raportit.

Sipas tij, në fshatrat e diskutueshme në vijën zero, në zonën gri, siç ndodh shpesh, ku një pjesë e madhe e popullsisë është larguar, ku dreqin flenë ushtarët?

“Në një kazermë që nuk ekziston dhe që do të bombardohej 100% menjëherë? Në tokë në fusha?”, pyet Tinazzi.

Gazetari nënvizon se nëse lëvizni nga fshati në fshat ose qyteti në qytet përdoren objekte të përshtatshme, qofshin shtëpi private apo ndërtesa publike, pasi është një domosdoshmëri.

Por ndryshe nga sa thotë Amnesty në atë raport, shkruan Tinazzi, unë nuk pashë asnjë të shtënë dhe nuk pashë përdorim të artilerisë në zona të populluara.

Kjo, edhe aty ku banorët nuk donin të largoheshin.

“Kam udhëtuar në të gjithë vendin. Pastaj e kam lexuar sërish raportin e Amnesty-së, me mirëbesim dhe pyes veten se ku jetojnë ata njerëz që kanë përpiluar me 4 dëshmi një konflikt që përfshin 40 milionë njerëz me deklarata absurde, sepse qytetet janë bërë fortifikime”, vijon reagimin e tij gazetari italian.

Ai përmend se ngaqë ka një pushtim ushtarak, nuk ka ndarje të qartë midis civilëve dhe ushtarakëve, shpesh.

Në qendrat vullnetare mblidhen ndihma për luftëtarët dhe civilët.

“Kjo i bën ata një objektiv? Jo, nuk janë dhe kjo në asnjë mënyrë nuk e justifikon bombardimin e qyteteve dhe fshatrave të tëra pa dallim, siç bëjnë rusët”, deklaron në përmbyllje gazetari italian.

“Amnesty International” reagon pas deklaratave mbi ushtarët ukrainas

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore