Shqipëria

Çfarë ndodhi me procesin e pasaportave të arta në Shqipëri


Shqipëria dhe Bashkimi Evropian përditësuan qëndrimet e tyre gjatë punimeve të Këshillit të 12-të të Stabilizim Asociimit lidhur me procesin e “pasaportave të arta”.

Fillimisht, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, deklaroi se procesi nuk do të ndiqet më tej nga autoritetet shqiptare.

“Patëm mundësi të mirëpresim vendimin e kryeministrit që nuk do të ndiqet më tej miratimi i pasaportave të arta”, u shpreh kryediplomati evropian gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.

Të njëjtën gjë konfirmoi edhe kreu i Qeverisë, Edi Rama, duke cilësuar edhe qëndrimin “në nivel evropian”.

“E kemi pezulluar procesin e ‘pasaportave të arta’ deri kur të sqarohet në nivel evropian qëndrimi. Ne nuk e shpikëm këtë, e morëm nga vendet e BE-së që e kanë zbatuar me sukses. Nuk do ta nxjerrim më këtë inciativë në tavolinë pa parë si do vendosë gjykata evropiane. Nëse vendos gjykata evropiane kundër, nuk do e hapim më si çështje”.

Shqipëria duhet të përmbahet nga zbatimi i Programit të Pasaportës së Artë të njohur edhe si Skema e Shtetësisë së Investitorëve dhe të shfuqizojë bazën ligjore për një program të tillë duke aplikuar ndryshime të reja në Ligjin për Shtetësinë.

Rekomandime të tilla erdhën në dhjetor të vitit të kaluar nga Komisioni Evropian në raportin e të pestë në kuadër të mekanizmit të pezullimit të vizave.

“Ngritja e një skeme të nënshtetësisë së investitorit do të ishte në kundërshtim me rekomandimet e bëra në Raportin e Katërt sipas Mekanizmit të Pezullimit të Vizave dhe paketës së zgjerimit 2021”, thuhet në raport.

Sipas vlerësimeve të bëra nga Komisioni Evropian, një program për shtetësinë e investitorit mund të shërbejë për të anashkaluar procedurën e vizave me qëndrim të shkurtër të Bashkimit Evropian dhe për të paraqitur rreziqe të mundshme migracioni dhe sigurie.

Komisioni Evropian u ka bërë thirrje disa herë autoriteteve në Shqipëri që të mos nisin një skemë të tillë pasi e njëjta shpesh përfshihet në shumë afera të paligjshme si pastrim parash dhe afera të tjera të paligjshme.

Përveç kësaj, Komisioni paralajmëroi Tiranën zyrtare se një program i tillë mund të çojë në pezullimin e regjimit të vizave.

“Ky është një shqetësim i madh për BE-në në kuadrin e marrëveshjes së saj pa viza me Shqipërinë. Komisioni mendon se, nëse skema të tilla vlerësohet se përbëjnë një rrezik në rritje për sigurinë e brendshme dhe politikën publike të Shteteve Anëtare, regjimi pa viza mund të pezullohet”, thuhet në deklaratë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore