Lajme

Çfarë kishte ndodhur me 17 shkurt 2008 në Veri? – Intervistë me ish-komandantin Policisë, Sheremet Ahmetin


Me 17 shkurtit të vitit 2008 Policia e Kosovës ishte përgatitur për shumë gjëra që mund të ndodhnin.

Organet e rendit kishin marrë informacione se mund të ketë tensione në ditën e shpalljes së Pavarësisë, prandaj ishin vigjilent për skenarë të ndryshëm.

15 vjet prapa, ish-komandanti i Shërbimit Policor të Kosovës, Sheremet Ahmeti, në një intervistë për Albanian Post, thotë se kishin marr informata se komuniteti serb do të shpërngulet nga Kosova, por sic dihet, “ajo nuk ndodhi fare, sepse i morëm të gjitha masat e nevojshme në atë aspekt”.

“Po ashtu gjatë kohës së manifestimit në gjithë Kosovën asnjë nga protestuesit nuk e ka provuar askënd, përkundrazi kanë qenë tepër të kujdesshëm sepse e kanë dëgjuar kërkesën tonë për të mos provokuar. Jam shumë mirënjohës të gjithë zyrtarëve policorë që kanë qenë të angazhuar. Ka pas zëra që mund të ketë probleme, por ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura me kohë”, thotë Ahmeti.

Po ashtu Ahmeti ka treguar se kanë qenë të njoftuar se do të digjeshin pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, për çka ish-kryepolici tregon se e pati njoftuar edhe ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe zëvendësin e tij, Hajredin Kuqin, teksa kishte kërkuar edhe nga UNMIK-u që të mos lejojnë të ndodhin gjëra të tilla.

“Kam kërkuar nga njësia speciale polake e UNIMK-ut t’i dërgoj policët dhe mos të lejoj të digjen pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe nuk e kanë bërë këtë, por s‘ka qenë në mundësitë tona ta ndalojmë një gjë të tillë”.

Megjithatë, Ahmeti shprehet i lumtur që festa e madhe e Pavarësisë, kishte përfunduar pa asnjë incident, teksa meritat ia atribuon zyrtarëve policorë që kishin punuar me orar të gjatë.

“Vlen të theksohet se edhe përkundër faktit se orari i punës ka qenë 12 orësh, zyrtarët e Policisë së Kosovës ishin plotësisht të angazhuar dhe të palodhur për t’i shërbyer qytetarëve të vendit. Vlen të ceket se ecuria e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka kaluar pa eksese, e madje as aksidente të trafikut, dhe për këtë duhet falënderuar qytetarët për një manifestim shumë dinjitoz”.

Ahmeti edhe pse tash është në pension, policinë e cilëson si “një forcë policore shumë profesionale, një forcë policore e cila e ka një përvoje 24 vite prej kur është themeluar e përgatitur dhe e avancuar në të gjitha aspektet”,

“Sigurisht se ka nevojë për mbështetje, qoftë në aspektin material, por edhe në atë të sigurimit shëndetësorë sepse zyrtarët policor të të gjitha kategorive dhe niveleve, i ekspozohen në mënyrë të vazhdueshme rreziqeve të ndryshme”.

Intervista e plotë me ish-komandantin e Shërbimit Policor të Kosovës, Sheremet Ahmetin:

Albanian Post: Zotëri Ahmeti, 15 vite më parë keni qenë komandant i Shërbimit Policor të Kosovës, atëkohë u shpall pavarësia e Kosovës. Kishte raportime se serbet do protestojnë dhe situata mund te eskalonte. Cila ishin përgatitjet e policisë atë kohe, a ishin të njoftuar se situata mund të dilte nga kontrolli?

Ka pas zëra dhe presione në aspektin e saj që komuniteti serb do të shpërngulet nga Kosova, por ajo nuk ndodhi fare sepse  i morën të gjitha masat e nevojshme në atë aspekt. Po ashtu gjatë kohës së manifestimit në gjithë Kosovën asnjë nga protestuesit nuk e ka provuar askënd, përkundrazi kanë qenë tepër të kujdesshëm sepse e kanë dëgjuar kërkesën tonë për të mos provokuar. Jam shumë mirënjohës të gjithë zyrtarëve policorë që kanë qenë të angazhuar. Ka pas zëra që mund të ketë probleme, por ne i kemi bërë të gjithë përgatitjet e duhura.

Kam kërkuar nga njësia speciale polake e UNIMK-ut t’i dërgoj dhe mos të lejoj të digjen pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, por nuk e kanë bërë këtë, meqë s‘ka qenë në mundësitë tona ta ndalojmë një gjë të tillë. Unë isha të kryeministri dhe tek zëvendëskryeministri zotëri Kuqi. Nuk kemi mundur sepse ka qenë pjesë e angazhimit të tyre. Ne kemi qenë në takim te kryeministri Thaçi dhe e kemi kërkuar nga komisari i policisë së UNMIK-ut dhe ai nuk e ka parë të nevojshme të angazhohet me njësitë atje, sepse ne atë kohë kemi qenë me kapacitete të limituara.

Albanian Post: Cili ka qenë bashkëpunimi me organet e sigurisë nga perëndimi meqë Kosova ende nuk ishte shtet i pavarur? Sa ishte e përgatitur policia dhe cili ishte mobilizimi i organeve të rendit. A keni pasur takim edhe me ish-kryeministrin Hashim Thaçi dhe ish-ministrin e Brendshëm, Zenun Pajazitin para se te behej shpallja e pavarësisë, çka keni biseduar?

Për mua si Drejtor i Policisë së Kosovës dita e 17 shkurtit të vitit 2008 ishte një ngjarje madhore me rëndësi të veçantë që ndodhte në Kosovës. Ne me kohë ishim të informuar  që do të ndodh kjo ngjarje e madhe në vendin tonë dhe kemi bërë planin operativ të nevojshëm dhe angazhime të duhura për të kaluar krejt ky proces me qetësi dhe siguri. Angazhimet tona ishin të plota dhe të gjitha kapacitetet që i kishim ishin në shërbim të qytetarëve, sepse e dinim që do të kishte ardhje të qytetarëve nga të gjitha viset dhe trojet shqiptare, përfshirë edhe diasporën dhe ishte i nevojshëm mbulimi i terrenit dhe ofrimi i sigurisë për ta. Në atë kohë edhe kryeministri dhe ministri i punëve të brendshme por edhe ne, natyrisht se kishim shqetësime, sepse kishte zëra kërcënues, për rrjedhojë  edhe angazhimi ynë i përbashkët në krye të detyrës ka qenë në nivelin maksimal.

Lidhur me këtë ngjarje madhështore ne kemi qenë të koordinuar duke realizuar kontakte të vazhdueshme me qeverinë e vendit, ku në atë kohë kryeministër ishte zotëri Hashim Thaqi dhe Ministër i Punëve të Brendshme ishte zotëri Zenun Pajaziti. Nga Qeveria kemi pranuar njoftime për kohën dhe momentin e përafërt të shpalljes së pavarësisë, prandaj edhe angazhimet dhe koordinimet kanë qenë të vazhdueshme me Qeverinë, por duke mos përjashtuar edhe koordinimin me faktorin ndërkombëtar, kryesisht KFOR-in, i cili ka qenë përkrah neve me angazhimet e nevojshme.

Albanian Post: A pati ndonjë incident më 17 shkurt të vitit 2008?

Megjithatë, ofrimi i sigurisë, në ditën e shpalljes së Pavarësisë, është bërë kryesisht nga Policia e Kosovës. Vlen të theksohet se edhe përkundër faktit se orari i punës ka qenë 12 orësh, zyrtarët e Policisë së Kosovës ishin plotësisht të angazhuar dhe të palodhur për t’i shërbyer qytetarëve të vendit, dhe vazhdimisht na informonin për të gjitha rrjedhat dhe gjërat që ndodhin në terren në rrugët e vendit tonë dhe sheshet e kryeqytetit.

Vlen të ceket se ecuria e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka kaluar pa eksese, e madje as aksidente të trafikut, dhe për këtë duhet falënderuar qytetarët për një manifestim shumë dinjitoz.

Albanian Post: Meqë keni shërbyer gjatë në polici, si e shihni zhvillimi e kësaj force edhe pse policët janë ende pa sigurim shëndetësor e shumë herë iu është rrezikuar jeta gjatë intervenimeve, sidomos në Veri?

Me plot krenari dhe përgjegjësi e them se Policia e Kosovës është një forcë policore shumë profesionale, një forcë policore e cila e ka një përvoje 24 vite prej kur është themeluar e përgatitur dhe e avancuar në të gjitha aspektet, porse sigurisht se ka nevojë për mbështetje, qoftë në aspektin material, por edhe në atë të sigurimit shëndetësorë sepse zyrtarët policor të të gjitha kategorive dhe niveleve, i ekspozohen në mënyrë të vazhdueshme rreziqeve të ndryshme, andaj është e papranueshme mos me pas sigurimin shëndetësorë, e mbi të gjitha ka nevoje për rifreskimin e policisë dhe posaçërisht edhe nxjerrjen e ligjit për policinë me ç ‘rast do të pensionoheshin të gjithë ata që kanë moshën 55 vjeçare, sepse fatkeqësisht shumë zyrtarëve ju është dëmtuar shëndeti dhe njëherit, mund të mos jenë operativ.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore