Lajme

Çfarë është zona e ndalim-fluturimit dhe pse konsiderohet “akt lufte”?


Që në fillim të pushtimit të Federatës Ruse në pjesën lindore, kërkesa e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, ka qenë të vendosin “një zonë ndalim-fluturimi” mbi hapësirën ajrore të Ukrainës.

Në këtë mënyrë, ushtria ruse do ta kishte të pamundur të fluturonte në qiejt e Ukrainës.

Por, NATO ka vendosur të mos përfshihet në luftë me Rusinë.

Madje, edhe pas bombardimeve afër termocentralit bërthamor të Zaporizhzhisë, diskutoi mbi kërkesën e presidentit Zelensky, por sërish vendosi që nuk do të ketë një zonë ndalim-fluturimi në Ukrainë.

Çfarë është një “zonë ndalim-fluturimi”?

Nëse kjo zonë do të vendosej, do të thoshte “një veprim sulmues, jo mbrojtës dhe, në fakt, do të përfshinte hyrjen në luftë kundër Rusisë”, thotë ish-Admirali i Marinës së Shteteve të Bashkuara, Michael Glenn Mullen, në një intervistë për të përditshmen “Corriere della Sera”.

“Unë e kuptoj kërkesën”, shpjegon ai, “por mundësia e një konflikti midis Rusisë dhe NATO-s rritet ndjeshëm”.

Nëse NATO do të vendoste një zonë ndalim-fluturimi, në fakt do të detyrohej të patrullonte mbi qiejt e Ukrainës, duke rrëzuar avionët e Moskës dhe sulmuar kështu mbrojtjen kundërajrore ruse në territorin ukrainas.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse Presidenti Vladimir Putin e konsideron atë “një akt lufte”.

Më tej, Mullen argumenton se, gjithashtu çdo shtet që vendos një zonë ndalim-fluturimi “do të përfshihej drejtpërdrejt në konfliktin e armatosur”.

Zonat e ndalimit të fluturimeve zakonisht përdoren për të mbrojtur zona të ndjeshme, të tilla si: rezidencat mbretërore, ndërtesat qeveritare, vendet publike, fetare apo ngjarjet sportive.

Kur aplikohen për qëllime ushtarake – ndalimi i aeroplanëve që të hyjnë në një zonë të caktuar për të parandaluar sulmet ose mbikëqyrjen, si në rastin e Ukrainës –  përfundojnë në “një akt lufte”, siç argumenton Putin.

“Këto zona në fakt u lejojnë të hyni në një konflikt pa angazhuar trupa në terren”, tha Gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-ve, Philip Breedlove, për revistën “Foreign Policy”.

“Nuk mund të thuash thjesht se është një zonë e ndaluar fluturimi”, vijoi ai. “Atëherë ju duhet ta zbatoni atë. Është e barabartë me luftën”.

 “Zonë ndalim-fluturimi” në të kaluarën?

Në të kaluarën, zonat e ndalim-fluturimeve janë përdorur nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca, pa mbështetjen e OKB-së, gjatë Luftës së Gjirit të vitit 1991, për të ndaluar sulmet e Sadam Huseinit ndaj civilëve.

Kjo luftë filloi më 2 gusht 1990, kur Iraku pushtoi Kuvajtin, dhe zgjati deri në pushtimin amerikan të Irakut në vitin 2003.

Sipas kritikëve, sulmet amerikane në infrastrukturën e mbrojtjes ajrore të Irakut shkaktuan gjithashtu shumë viktima civile.

NATO e shpalli atë në Bosnjë midis 1993 dhe 1995 me mbështetjen e OKB-së, dhe më pas në 2011 në Libi, kur Gaddafi u përpoq t’i shtypte trazirat.

Në vitin 2015, ndaj Shteteve të Bashkuara kishte presion të madh për të shpallur një zonë ndalim-fluturimi në Siri, ku Assad hodhi bomba mbi civilët.

Në atë kohë, rusët kryen gjithashtu sulme ajrore kundër ISIS-it, por edhe ndaj rebelëve që kundërshtuan Assad-in.

Por presidenti i atëhershëm, Barack Obama, qëndroi i palëkundur dhe nuk vendosi zonë ndalim-fluturimi, pasi donte të shmangte hyrjen në konflikt të drejtpërdrejtë me rusët.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore