Bota

Çfarë duhet të dimë për Antony Blinken?


Diplomacia amerikane është kritikuar shpesh gjatë mandatit të presidentit Donald Trump, për raportet shpesh armiqësore me vendet e Bashkimit Evropian, apo edhe për afrimin me Rusinë.

Me ardhjen e Joe Biden-it në presidencë tashmë, pritet një frymë e re në qasjen që SHBA-ja do të ketë ndaj botës, dhe këtë, do ta realizojë Sekretari i ri i Shtetit, Anthony Blinken.

Blinken-i ka një eksperiencë të gjatë në politikë bërjen amerikane. I njohur për qasjen e tij multilaterale dhe gjuhën e butë diplomatike, ai pritet t’i rikthejë marrëdhëniet e mira SHBA-BE.

Çfarë duhet të dimë për, Anthony Blinken, Sekretarin e ri të Shtetit në SHBA?

Evropianist dhe internacionalist

Blinken ka një lidhje personale të gjatë me Evropën. Në vitin 2016, ai deklaronte se “pasja e miqësive të mira me partnerët evropianë rrit sigurinë e amerikanëve”.

Shpesh ai e ka përshkruar Evropën si “partner jetik”. Lëvizjet e ish-presidentit Trump, për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania, e ka quajtur si “të pamend”, pasi kështu NATO-ja dobësohet dhe i jepet krah Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Përsa i përket qasjes ndërkombëtare, Blinken ka idenë se duhet bashkëpunim i plotë me çdo shtet. Këtu ai ka përfshirë edhe Kinën apo Iranin, me të cilat SHBA-ja ka pasur shpesh konflikte.

“Përfshirja amerikane duhet të jetë e plotë në raport me vendet e huaja”, ka deklaruar ai përpara se të merrte detyrën.

Frankofon dhe frankofil

Blinken flet një frëngjishte perfekte, kjo për faktin se ai ka kaluar gjithë fëmijërinë e tij në Paris. Kryediplomati amerikan, ka një dobësi për kulturën franceze. Nëse ai e reflekton këtë qasje në detyrën e tij, atëherë Franca dhe SHBA-ja mund të gëzojnë raportet më të mira historike, përsa i përket bashkëpunimit.

Me zgjedhjen e tij në postin e rëndësishëm, pati një gëzim mes politikanëve dhe gazetarëve në Francë. Jo vetëm sepse nëpërmjet tij, komunikimi do të jetë më i thjeshtë, por edhe për faktin sepse ata presin që të ketë një përparësi të Elyseé-së në krahasim me vendet e tjera të BE-së, përsa i përket raportit me SHBA-në.

Gjashtë vitet në Senat

Blinken-i ka shërbyer një mandat gjashtë vjeçar në Senat, si ndihmës kryesor i Joe Biden, në atë kohë senator. Ndër punët e para për të, ka qenë ajo në Capitol Hill. Në vitin 2002, ai punoi si drejtuesi i stafit të demokratëve në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme në Senat.

Për shkak të këtyre viteve, Blinken gëzon një lidhje të veçantë me presidentin Biden. Ai ka pasur gjithashtu bashkëpunime të ngushta me drejtues të lartë të Shërbimeve Inteligjente Amerikane apo këshilltarin e Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë. Kjo e ka ndihmuar të ketë një tranzicion drejt detyrës që mbart tashmë dhe të krijojë kontaktet e duhura.

Më pas, ai mbarti edhe poste me rëndësi gjatë administratës Obama. Në janar të 2013-ës, gjatë mandatit të dytë të ish-presidentit Obama, Blinken u bë zëvendëskëshilltar i Sigurisë Kombëtare. Ai e mbajti këtë detyrë për dy vite. Më pas, u caktua si zëvendës-sekretar i Shtetit.

Rrënjët hebreje

Kryediplomati amerikan u lind nga prindër me prejardhje hebree. Njerku i tij madje, ishte i mbijetuar i holokaustit. Nën ndikimin e tij, Blinken mori një formim të gjerë mbi kulturën e origjinës së tij.

Kjo gjë, mund ta bëjë atë më të ndjeshëm ndaj çështjeve të Lindjes së Mesme. Mbi të gjitha, problemet që kanë shtete si Siria, Afghanistani, Iraku. Mbetet për t’u parë edhe qasja që Blinken do të ketë ndaj konfliktit Izrael-Palestinë, nëse ai do të ndikohet nga prejardhja për qëndrimet e tij.

Shërbimet publike

Familja Blinken njihet për bizneset e shumta në fushën e shërbimeve qeveritare. Sekretari i Shtetit madje, edhe gruan e tij, e ka takuar gjatë punëve që kryente aty, kur shkruante fjalime për Këshillin Kombëtar të Sigurisë.

Gruaja e Blinken-it, Evan Ryan, ka asistuar Hillary Clinton-in gjatë kohës që ishte zonjë e parë dhe më pas në fushatën për senatore. Familja Blinken ka një traditë të gjerë në diplomaci. Disa pjesëtarë të saj kanë shërbyer si diplomatë. Njerku i Blinken, ka qenë këshilltar i John Kennedy-t dhe presidentëve të shumtë francezë.

Tashmë, pritet të shihen lëvizjet e para të diplomacisë amerikane. Mbi të gjitha, plani për marrëdhënien me Kinën, Rusinë dhe Iranin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore