Kosova

“Çfarë dreqin po bëni këtu?” – Von Cramon: Edhe policëve gjermanë ua bëj këtë pyetje


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në një konferencë për media të hënën, ka sqaruar “konfrontimin” verbal që pati me policët e njësiteve elitare të Policisë së Kosovës, të cilët po qëndrojnë në pjesën veriore të Kosovës që nga e dita e premte.

Teksa ka komentuar sulmet nga disa aktivistë dhe deputetë të partisë në pushtet për gjuhën e përdorur ndaj policisë në veri të Kosovës, eurodeputetja gjermane tha se edhe në Gjermani i pyet policët se “çfarë dreqi po bëni këtu” kur situata është, siç tha ajo, paqësore.

“Si politikane qe një kohë të gjatë pyeta: çfarë dreqi po bëni aty? Është e nevojshme. Por ai zotëria nuk mundi të më jap përgjigje. Në Gjermani, unë i kam pyetur policët: pse po dilni këtu kur ambienti është krejtësisht paqësor. Unë i di rrethanat në veri, kam biseduar me qytetarët serbë”, tha von Cramon.

“Nuk duhet të sulmohem unë por duhet të shkojnë në Leposaviq e Zveçan  të gjejnë se ku është problemi, e jo të më sulmojnë mua”, potencoi ajo, ndërsa shtoi se kryetarët e sapozgjedhur janë legalë, por s’kanë legjitimitet të futen me forcën në objektet komunale.

“Shumë njësi të policisë speciale, automjete të blinduara janë të vendosura në veri. Sigurisht, kryetarët janë zgjedhur në mënyrë të ligjshme, por kjo nuk nënkupton që ata kanë fuqi legjitime që të hyjnë në këto objekte dhe qasjen në to ta sigurojnë me forcë”.

“Ju të gjithë e dini se unë jam mbështetëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetëse e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e saj, megjithatë unë vizitova dje veriun dhe sinqerisht jam shumë e brengosur dhe jo vetëm unë sepse është situatë shumë e vështirë dhe e tensionuar”, tha ajo.

Ajo ka sqaruar se është e ditur tashmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore ishin të përkohshme, prandaj është dashur që të gjendet një zgjidhje tjetër që të niset puna në objekte komunale, por jo përmes forcës.

“Nuk dua të propozoj asgjë, por nga ajo çfarë kuptoj unë është se të gjithë e dinë këtë: zgjedhje të përkohshme dhe të ndërmjetme. Nëse punohen për një periudhë të përkohshme ndoshta mund të kemi një zgjidhje sesa që të hyhet me forcë në ato objekte”.

“Nuk mendoj se dikush duhet të pyesë BE-në apo dikë për zgjedhje, pasi rezultati ka qenë legjitim, por me këtë dalje të ulët në zgjedhje, kur keni një shumicë që nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, ato nuk janë kredibile për nga aspekti defacto”, shtoi ajo.

Gjatë fjalimit të saj, eurodeputetja nga radhët e “Të Gjelbërve”, pati edhe lëvdata ndaj Kosovës për progresin e arritur në disa fusha, porse, siç vuri në dukje ajo, vazhdojnë të mbesin sfida në disa aspekte të tjera që janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

“Kur bëhet fjalë për reformat vendore është e rëndësishme të përmenden edhe sfidat që mbesin në fusha të ndryshme përfshirë; fushën e sundimit të ligjit; luftimin e korrupsionit; përmirësimi i dialogut ndëretnik e kështu me radhë. Këto sfida duhet të adresohen për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme”.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore