Shqipëria

Çfarë çike!


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe këngëtarja Dua Lipa

Këngëtarja me origjinë shqiptare dhe me famë botërore, Dua Lipa, ka mbërritur në Tiranë. Ajo pritet të mbajë një koncert më 10 gusht, në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Lajmi është bërë me dije nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmes një postimi në Facebook.

Më herët artistja është takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka publikuar një foto me këngëtaren, ndërsa shkruan se “brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste”.

Më tej, ai e cilëson “DUA LIPA” artiste që ka kapur qiellin e botës muzikore dhe se s’ka nevojë për asnjë koment, ndërsa për “Duan si vajzë”, i dedikon disa fjalë në shenjë vlerësimi.

“Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike”, shkruan kryeministri.

Ndërsa ka shpërndarë posterin e koncertit, Dua Lipa u shpreh se po i pret me padurim dy koncertet që do të mbajë në Tiranë e Prishtinë.

“Me kënaqësi ju informoj se, ndërkohë që do të jem në vendlindje për të interpretuar në Prishtinë do të mbaj një koncert edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë në datën 10 gusht. Jam gati, shpresoj të jeni dhe ju. Shihemi së shpejti në Tiranë”, shkruan ajo.

Koncerti do të jetë i hapur dhe falas për të gjithë qytetarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore