Lajme

Çfarë biseduan Borell e Kurti para takimit? Zbardhet biseda


Takimi Borell, Kurti-Vuçiq. Foto: Bashkimi Evropian.

I nervozuar dhe fizikisht në distancë, Josep Borell akoma pa u afruar mirë të Kurti, për të pozuar para mediave, filloi ti fliste.

Pyetja e parë e Borell, përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, ishte për takimin e kryeministrit kosovar, me sektarin gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Takim ky i zhvilluar të mërkurën.

Borell e pyeti Kurtin se, “a keni takuar dje sekretarin gjeneral të NATO-s?

Kryeministri iu përgjigj Borellit vetëm me “po”.

Borell vazhdoi tutje bisedën duke i thënë se “lexova në gazeta”.

Ndërkaq, kryeministri i dha detaje nga takimi duke ju përgjigjur “po ishte një takim shumë i mirë”.

“Takim i mrekullueshëm?”, pyeti Borell, për t’ia kthyer përsëri Kurti me një “po”.

Tutje përfaqësuesi i BE-së u interesua për atë cka është diskutuar në takim dhe fokusin e kishte të dërgimi i më shumë trupave të NATO-s në Veri, deklarim që e bëri edhe Stoltenberg, i cili tha se KFOR-i mund të rritet në numër “nëse është nevoja”.

“Po nëse është e nevojshme”, u përgjigj shkurt Kurti, kureshtjes së Borell.

Por, spanjolli u shpreh se “s’do të jetë e nevojshme”.

Biseda ndodhi para hyrjes në takimin trepalësh në mes të Kurtit, Borellit, Miroslav Lajçakut e Aleksandër Vuçiç-it.

Ndryshe, në Bruksel ka përfunduar rundi i parë i takimit trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Siç ka mësuar Radio Evropa e Lirë do të ketë takime dypalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit e BE-së, me qëllim që liderët të takohen sërish gjatë ditës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore