Kosova

Çfarë bënë realisht Lista Serbe? – përfaqësuesit e vetëm të serbëve në institucionet e Kosovës


Përfaqësuesit e Listë Serbe në Kuvendin e Kosovës

Zyrtarë të Listës Serbe të afërt me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, janë përfaqësuesit e vetëm ligjor dhe legjitim të serbëve në institucionet e Kosovës, por zëri i tyre pothuajse asnjëherë nuk dëgjohet në Kuvendin apo Qeverinë e Kosovës, sepse rrallëherë marrin pjesë në seanca apo mbledhje.

Pikërisht për këtë arsye më 3 gusht shoqëria civile nga radhët e komunitetit serb ftoi Listën Serbe që të jetë aktive në punë, dhe t’i japë fund destabilitetit dhe të kontribuojë për paqen përmes kanaleve institucionale.

Sipas Igor Markoviç, hulumtues në organizatën joqeveritare “Aktiv” nga Mitrovica Veriore, mendon se Lista Serbe nuk bënë pothuajse asgjë për të mbrojtur interesat e serbëve në institucionet në Kosovë.

“Lista serbe e institucioneve në të cilat operon dhe që e ka zgjedhur si kanal për komunikimin e interesave të komunitetit serb, nuk është e dobishme. Disi duket sikur Lista Serbe operon në Serbi dhe jo në Kosovë”, thotë Markoviç për Radio Evropën e Lirë.

Igor Markoviç po ashtu thekson se përfaqësuesit e Listës Serbe në asnjë mënyrë nuk e kanë njoftuar popullatën vendase për vendimet e Qeverisë së Kosovës, dhe sipas tij qytetarët serb pothuajse nuk kanë pasur asnjë informacion në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë për targat dhe kartat e identitetit.

“Në vend që të jenë në Kuvend, kur është diskutuar për vendimin e Qeverisë në fjalë , ata nuk kanë marrë pjesë në të. Është një hap që duhet të ishte përdorur jo vetëm për të qetësuar tensionet paraprakisht, por edhe për të rregulluar më mirë atë zonë”, beson ai.

Ai potencon se çdo krizë në Kosovë ka ndikim të drejtpërdrejtë në emigrimin e pjesëtarëve të komunitetit serb dhe shton se ata janë nën presion të vazhdueshëm dhe ndihen të pasigurtë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Listës Serbe me pyetjen nëse do t’i dëgjojnë apelet e shoqërisë civile për të rritur bashkëpunimin me kryeministrin e Qeverisë së Kosovës dhe për të luftuar për të drejtat e serbëve përmes institucioneve të Kosovës, por deri në publikimin e këtij teksti askush nuk u përgjigj.

Lista Serbe, megjithatë, ka bërë një deklaratë publike më 3 gusht për t’iu përgjigjur deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svecla, se Lista Serbe është e “zhvlerësuar politikisht” dhe se bashkëpunon me grupe kriminale.

Mes tjerash, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë bërë të ditur se nuk bashkëpunojnë me Qeverinë e Kosovës në krye me Albin Kurtin sepse “punon kundër interesave të popullit serb”, dhe se qëllimi i tyre politik është rrëzimi i kësaj qeverie.

Goran Rakiç në mbështetje të barrikadave në Veriun e Kosovës

Çfarë presin vendasit nga Lista Serbe?

Një qytetar nga Mitrovica Veriore pret që Lista Serbe të ndjek udhëzimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe jo kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Megjithatë, ai mendon se duhet të punojnë në qetësimin e tensioneve, kur për shkak të tyre dalin disa vendime politike.

Edhe një qytetar tjetër nga Veriu i Kosovës mendon se Lista Serbe duhet të punojë në zbutjen e marrëdhënieve dhe qetësimin e tensioneve, në mënyrë që situata të mos eskalojë.

Ndërsa serbët në jugu i Ibrit pak më shumë e përkrahin bashkëpunimin e Listës Serbe dhe Qeverisë së Kosovës, sepse besojnë se do të përfitojnë qytetarët.

Një qytetare nga Graçanica, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, thotë se përfaqësuesit politikë të serbëve duhet të bashkëpunojnë më shumë me Qeverinë e Kosovës për të evituar tensionet, sepse siç thotë ajo, paqja është parakusht themelor për një jetë më të mirë.

Në anën tjetër një qytetar tjetër nga po e njëjta komunë beson se qytetarët asnjëherë nuk kontribuojnë në ngritjen e tensioneve, por këtë e bëjnë politikanët nga radhët e komunitetit serb dhe shton se janë ata që duhet të bashkëpunojnë për normalizimin e marrëdhënieve dhe përmirësimin e pozitës së serbëve në Kosovë.

Përfaqësuesit e Listës Serbe në takim me Aleksandër Vuçiç

Dialogu si e vetmja zgjidhje për tejkalimin e krizës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur më 4 gusht me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, për zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës dhe ka theksuar rëndësinë e shmangies së përshkallëzimit të situatës.

Ai ritheksoi se qëndrimi i SHBA-ve se vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë është në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, të cilën Prishtina dhe Beogradi e nënshkruan në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Me Hoveiner është pajtuar edhe kryetari i Listës Serbe, Rakiç.

Ai tha gjithashtu se Lista Serbe do të jetë një partner konstruktiv në vendimmarrje dhe se kriza që ekziston sot mund të tejkalohet vetëm me vullnetin e sinqertë të të gjitha palëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore