Shqipëria

Çështja e Gërdecit, paraqiten në SPAK paditësit e ish-ministrit Mediu


Këtë të mërkurë janë paraqitur pranë Prokurorisë së Posaçme SPAK, prindërit e 7-vjeçarit që mbeti i vrarë nga shpërthimi në Gërdec.

Ata janë thirrur në cilësinë e kallëzuesve të ish- ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Avokati i familjes Durda, Dorjan Matlija, e ka konsideruar thjesht si një moment procedural thirrjen e tyre në SPAK për t’u njohur me komunikimin e akuzës që i është bërë Fatmir Mediut.

“Ky proces është vënë në lëvizje nga familja Durda. Në këto momente na është komunikuar përfundimi i hetimeve dhe rezultati, që janë të ngjashme me momentin kur e pushoi Gjykata e Lartë. Kjo është thjesht çështje procedurale, asgjë më shumë se kaq”.

Një ditë më parë ishte Mediu që u paraqit në SPAK si i pandehur.

Mediu bëri me dije se i është prezantuar “i njëjti fashikull, me të njëjtin prokuror, njëjtën akuzë pa shtuar asnjë dokument shtesë nga 2009”.

“Shpresoj që të merrem në pyetje. Motivi politik është në akuzë, nuk është urdhri i ministrit që ka provuar problemin, çdo letër që kam nxjerrë ka ardhur nga pjesa civile dhe ushtarake. Akuzën nuk e pranoj, jam i pafajshëm, demontimi është çështje sigurie kombëtare”, ravijëzoi ish-ministri.

Ishte Gjykata e Lartë në Shqipëri, që më 28 tetor të vitit 2021 depozitoi në SPAK dosjen për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Ai pritet të akuzohet nga SPAK tanimë për “Shpërdorim të detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak” për ngjarjen e Gërdecit.

Do të ishte Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila do t’u hapte rrugën hetimeve, pasi më 12 tetor bëri me dije se Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit që zotëronte në atë kohë.

Më tej bëhej me dije se afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.

Nga ana tjetër, rënia e kushtit, tashmë, të imunitetit do t’i hapë dyert drejtësisë për të nisur gjykimin.

Të premten e 24 shtatorit u rihap dosja “Gërdeci”.

Më herët, SPAK ka kërkuar revokimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rinisjen e gjykimit ndaj Mediut.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me shpërthimin e depos së armëve në Gërdec, ku mbetën të vdekur 26 persona dhe qindra të tjerë të plagosur.

Shpërthimi i depos së armëve në Gërdec, 15 mars 2008
Si u rikthye pas tetë vitesh çështja “Gërdeci”?

Gjykimi ndaj Mediut u rikthye më 7 maj, kur familja e 7-vjeçarit, që humbi jetën, depozitoi në SPAK kërkesën për ndjekjen penale të Mediut.

SPAK, fill pas shqyrtimit të kërkesës, kërkoi hapjen e dosjes dhe revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut.

Shkaku, për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën vendosi pushimin e çështjes penale ndaj Mediut, ishte imuniteti parlamentar.

Më 30 qershor, Gjykata e Lartë shpalli moskompetencë për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes.

Në vijim të ndryshimeve ligjore të bëra me reformën në drejtësi, çështja “Gërdeci” i kaloi Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Ndërkohë GJKKO-ja, më 27 korrik, vendosi që Fatmir Mediu nuk do të gjykohet.

Kjo Gjykatë cilësoi në vendim se, që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se tetë vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale.

“Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që ta rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale, apo të kërkonte rishikim të vendimit”, thuhej në vendimin e GJKKO-së.

Kësisoj, Gjykata ravijëzoi se hapja e dosjes “Gërdeci”, “nuk mund të ushtrohet më bazuar në nenin 66 germa ‘b’ të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 germa ‘d’ të K.Pr.Penale”.

Por SPAK ankimoi në Apel vendimin e GJKKO-së, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj.

Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim.

Si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Shpërthimi i Gërdecit

Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave dhe dëmtime të parëndësishme për 67 persona.

Si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore