Bota

Çereku i britanikëve thyen qëllimisht karantinën


Rreth 25% e britanikëve pranuan se kanë thyer qëllimisht masat ndaj Covid-19 për të takuar familjarë ose për shkak të shëndetit mendor të rënduar dhe kanë pohuar se do ta bëjnë sërish këtë gjë.

Një studim në Britaninë e Madhe nga Medicspot, me dy mijë të anketuar, ka arritur në këtë përfundim. Kjo gjë është përforcuar me faktin se 23% i kanë thyer qëllimisht rregullat vetëm gjatë dhjetorit.

Ndërkohë 21% e tyre, janë shprehur se ata do t’i thyejnë sërish rregullat gjatë Krishtlindjes për të festuar me familjarët e tyre.

Thuajse një e treta u përgjigjën se rregullat ishin shumë strikte. Ndërkaq, 25% mendojnë se masat shtrënguese nuk ishin të nevojshme.

Një e katërta pretendonin se nuk e kuptonin arsyen pse mund të shkonin në punë, por jo në shtëpitë e të afërmve.

Nga ata që kanë thyer rregullat, 60% thanë se ata kanë vizituar shtëpinë e dikujt edhe pse duhet të ishin në karantinë.

Përsa i përket udhëtimeve, 64% u përgjigjën se ata i kishin anuluar planet e tyre për të udhëtuar. Kjo, për shkak se ata duhet të karantinoheshin pas kthimit në Britani.

Një përfaqësues i Medicspot ka deklaruar se “rregullat ndaj Covid-19 janë një temë e ndjeshme”. “Thuajse gjysma e britanikëve pranojnë se janë të paqartë me masat e aplikuara momentalisht”, shton ai.

Situatë e paqartë mbetet dhe me faktin se çfarë do të ndodhë gjatë Krishtlindjes. Gjithsesi, shumë britanikë janë larguar drejt vendeve më të ngrohta.

“Covidi është një virus tinëzar. Tashmë kemi vaksinën dhe shpresojmë që me ardhjen e vitit të ri të kthehemi në normalitet. Por, është jetike të marrim masa dhe të ndjekim këshillat e qeverisë deri atëherë”, thotë një përfaqësues tjetër i Medicspot.

Britania e Madhe ndodhet në një situatë të rëndë të pandemisë pas lajmeve se virusi ka pësuar mutacion dhe përhapet më thjeshtë tashmë.

Disa shtete kanë mbyllur kufijtë me Britaninë për të evituar përplasjen me versionin e ri të Covid.

Gjithsesi, lajmi i mirë është se të paktën 71% e të anketuarve planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi për Krishtlindje./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore