Shqipëria

Celibashi regjistron koalicionin “Bashkë Fitojmë”, por pa PD-në e Berishës pjesë të tij


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, e ka marrë vendimin për ta regjistruar koalicionin politik “Bashkë Fitojmë”, por duke lënë jashtë tij Partinë Demokratike të përfaqësuar nga Sali Berisha.

Ky i fundit, ishte pjesë e dokumentacionit të dorëzuar nga Partia e Lirisë, si udhëheqëse e koalicionit, pavarësisht faktit se Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, ka marrë vendim për të regjistruar Partinë Demokratike me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn si drejtues të forcës politike.

Kështu, vetëm tre parti polikë do të jenë pjesëmarrëse në koalicion: Partia e Lirisë, Partia Demokristiane dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.

Celibashi, mbi këtë vendim, ndoqi shembullin e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit 2022, kur sërish Berisha në letër u la jashtë koalicionit politik, pavarësisht se në fushatën elektorale zbriti vetë ai, për prezantimin dhe mbështetjen e kandidatëve.

Thënë kjo, asgjë nuk ndryshon në logjikën e marrëveshjes mes katër palëve, ku sërish Berisha do të ketë shumicën e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe pjesa e mbetur do të ndahet mes tre partive të tjera, në bazë të zonave.

Ndarja e këshilltarëve bashkiakë gjithashtu do të shkojë në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2022, ku pritet sërish që Berisha të ketë shumicën e vendeve në listë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore