Shqipëria

Celibashi: Prioriteti numër 1 i vitit 2022 – vota e emigrantëve


“Megjithëse fokusi i KQZ për momentin është përgatitja për zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen në gjashtë bashki më 6 mars, vijojmë të punojmë për prioritetin numër 1 të vitit 2022, i cili është mundësimi i votës së shqiptarëve me vendbanim jashtë Shqipërisë”.

Kështu ka deklaruar Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi përmes një postimi në Twitter të shtunën e 29 janarit.

Ai ka bërë me dije se ka zhvilluar një konsultim online me shoqatat e shqiptarëve rezidentë jashtë vendit “ku diskutuam mbi hapat e nevojshëm për t’u ndërmarrë për ta rivënë fort në fokus votimin e mërgatës shqiptare kudo që ndodhet”.

“Folëm hapur për çështje kryesore si procedura e regjistrimit të emigrantëve, mënyra e votimit, numërimi dhe llogaritja e votës si do të nxirret rezultati dhe strategjitë e nevojshme të edukimit të emigrantëve”.

Gjashtë janë bashkitë që do të garojnë partitë për marrjen e kreut më 6 mars – Durrës, Shkodër, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.

Pranë KQZ-së janë regjistruar Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi datën 6 mars si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Kujtojmë që këto gjashtë bashki kanë mbetur pa kryetar.

Aktualisht, Vora, Durrësi, Rrogozhina dhe Dibra drejtohen nga kryetar të emëruar dhe jo të zgjedhur.

Ndërsa Voltana Ademi në Shkodër vijon të mbajë mandatin përtej afateve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore