Zgjedhjet në Shqipëri

Celibashi për rastet me Covid: Kush paraqitet në qendra votimi, do të votojë


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë me dije në një konferencë për mediat, se “kush do të paraqitet në qendra votimi, edhe nëse me Covid, do të lejohet të votojë”.

“Në procesin e votimit, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk janë doktorë. Ata nuk bëjnë vlerësim të askujt nëse duhet apo s’duhet të paraqitet në qendrat e votimit. Kush paraqitet atje, do të lejohet të votojë”, deklaroi komisioneri.

Sipas ligjit, votimi mund të kryhet vetëm nëse personi paraqitet në qendrat e votimit. Por, të sëmurët me Covid, kanë detyrim karantinimi.

Për këtë shkak, në këto zgjedhje, ata do ta kenë të pamundur të votojnë.

Një vendim nga Komiteti Teknik i Ekspertëve është marrë më 19 prill, për karantinë 14-ditore, të udhëtarëve që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Për këtë rast, Celibashi gjithashtu e ka theksuar se nuk është në tagrin e komisionerëve të bëjnë këtë kontroll.

“Çështjet e shëndetit, në raport me pandeminë, u përkasin institucioneve të tjera. Si komisioner, e kam të ndaluar ta komentoj këtë”, shtoi ai.

Për sa u përket të dënuarve, Celibashi tha se janë bërë gjithë përgatitjet e duhura për të lejuar votën e tyre.

“Në të gjitha institucionet do të ngrihen qendra votimi, jemi në komunikim me drejtorinë e burgjeve. Numrin nuk e kam në total të atyre që do të votojnë, por do ua bëj me dije më vonë”, përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore