Shqipëria

Celibashi: Partitë të dorëzojnë dokumentet brenda afateve


“Ju bëj thirrje subjekteve zgjedhore të dorëzojnë brenda afateve dhe jo në momentin e fundit dokumentacionin e kandidimit”.

Ky është mesazhi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, vetëm një javë përpara përfundimit të afatit për dorëzimin e listave zgjedhore.

“Të vlerësojmë situatën e pandemisë. T’i japim mundësi administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të përpunojë dhe administrojë dokumentacionin, në përputhje me protokollet shëndetësore”.

Më 27 shkurt, Komisioneri i kujtonte partive afatin e 8 marsit për të dorëzuar listat. Në mesazhin e tij, nuk ka munguar edhe një thirrje ndaj subjekteve politike për të zgjedhur kandidatë me integritet.

Kjo thirrje është në vazhdën e atyre të ambasadorëve të huaj në Shqipëri. Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, pati një replikë me kryeministrin Edi Rama mbi çështjen e integritetit të kandidatëve.

Thirrje ka pasur edhe nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Numri i subjekteve zgjedhore që do të dorëzojnë listën e tyre me kandidatë pritet të jetë më i vogël këtë vit. Kjo, për shkak të përfshirjes brenda një liste të disa subjekteve.

Listat më të rëndësishme janë ato të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike me aleatët dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore