Shqipëria

Celibashi: Në Bashkinë e Vorës, aplikim të votimit elektronik – kostoja e zgjedhjeve 180 milionë lekë


Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, mëngjesin e 21 janarit ka dhënë informacionet paraprake mbi mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Shqipëri, më 6 mars  në gjashtë bashki të vendit.

Ai ka njoftuar se, me shumë mundësi, në Bashkinë Vorë do të përdoret sistemi i votimit elektronik.

Celibashi u shpreh se kostoja e këtyre zgjedhjeve është parashikuar të shkojë deri në 180 milionë lekë.

“Do të bëjmë edhe një sqarim, edhe për këto zgjedhje të aplikohet identifikimi elektronik. Në një konsultim me partitë do të vendosim në lidhje me zhvillimin, aplikimin e votimit elektronik në bashkinë e Vorës”, tha ai.

I pyetur për gjendjen e PD-së se cilat kandidatë do të pranojë KQZ-ja, Celibashi tha se kur të bëhet regjistrimi i partive do të vijë edhe përgjigjja zyrtare.

“Partia që kërkon të regjistrohet duhet të paraqesë një sërë dokumentesh, një prej tyre nga Gjykata e Tiranës që përmban të dhënat mbi partinë politike, përfshirë emër, organet drejtuese dhe organet kompetente”, tha ai.

Celibashi shtoi se, deri më tani, nuk ka pasur asnjë komunikim me asnjë parti.

Sa u përket informacioneve teknike, ai njoftoi se në Bashkinë Dibër ka një KZAZ, ku do të zhvillohen zgjedhjet dhe do të votohet në 101 qendra votimi.

Në Shkodër janë katër KZAZ dhe do të ketë 250 qendra votimi.

Në Vorë është një KZAZ dhe do të ketë 44 qendra votimi.

Ndërsa në Lushnjë janë dy KZAZ dhe 157 qendra votimi. Durrësi do të ketë katër KZAZ dhe 350 qendra votimi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore