Lajme

Çeku: Fjalimi i Kurtit në Spanjë u duartrokit edhe nga Borrelli


Hajrulla Ceku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes një postimi në Facebook, njoftoi se fjalimin e kryeministrit Albin Kurti në Spanjë, e ka vlerësuar shumë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Çeku theksoi se fjalimi i kreut të ekzekutivit u “duartrokit ngrohtësisht” edhe nga Borrelli, me të cilin Kurti kishte pasur disa mospajtime në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Përveç pjesëmarrjes në Kongresin e Internacionales Socialiste dhe fjalimit të tij që u duartrokit ngrohtësisht edhe nga Josep Borrell, Kryeministri Kurti zhvilloi takime me liderë shtetëror e partiak nga Europa dhe bota, përfshirë shtetet që nuk e njohin Kosovën”, ka shkruar  Çeku.

Ndër të tjera, ai ka bërë një përmbledhje të takimeve dhe bisedave që Kurti i zhvilloi në Madrid.

Albin Kurti gjatë fjalimit në Madrid

“Kryeministri Kurti zhvilloi takime me liderë shtetëror e partiak nga Europa dhe bota, përfshirë shtetet që nuk e njohin Kosovën”.

“Kryeministri Kurti u takua me Kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, ish Kryeministrin e Greqisë dhe deputetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, George Papandreou, ish Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana dhe Kryetarin e Malit të Zi, Milo Djukanoviç”, shtoi ai.

Ndryshe, kreu i ekzekutivit në një intervistë për mediumin spanjoll “El periodico”, foli edhe për takimin me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez.

“Takimi ynë ka qenë shumë i përzemërt sepse i përkasim të njëjtës familje politike”, bëri të ditur ai, megjithëse për momentin, qëndrimi i tij ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar.

“Ajo që më duhet nga Pedro Sanchez në radhë të parë është mbështetja për aplikimin tonë për të hyrë në Këshillin e Evropës”.

“Sapo e dëbuan Rusinë… tani është koha të hyjë Kosova”, përfundoi ai.

Ndryshe, Kurti të premten ka udhëtuar drejt Spanjës ku po merrë pjesë në Kongresin e Internacionales Socialiste, që mbahet në Madrid, në kongresin që do të mbahet nga 25 deri më 27 nëntor, i  organizuar nga Partia Socialiste e Punëtorëve të Spanjës (PSOE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore