Muzikë

Ceca, burimi i pashtershëm i skandaleve dhe ndjenjave nacionaliste


Ishte dhe vazhdon të jetë një nga këngëtaret më me influencë në tërë Ballkanin.

Ajo arriti t’i rezistojë kohës dhe problemeve serioze me ligjin duke mbetur akoma ndër artistet më produktive, me sukses në gjithë Serbinë dhe më gjerë.

Fotografi e Cecës, shkrepur në vitet e 90-ta.

Por, më tepër se krijimtaria muzikore, emri i saj – Ceca, krijon më shumë jehonë kur në pyetje vihen ndjenjat nacionaliste, problemet me rendin dhe jeta e saj personale si e veja e ish- kriminelit, Zeljko Raznatovic, të njohur si Arkani.

Kopertina e albumit “Cvetak Zanovetak”.

Ceca – një grua e rritur në fshatin Zitorada të Serbisë – fare e re filloi të këndonte nëpër “kafana”, teksa suksesin e parë në karrierën artistike e fitoi me albumin “Cvetak Zanovetak”, publikuar në vitin 1998, prej ku dolën hite, që i dhanë asaj famë edhe jashtë Serbisë, përfshirë edhe Kosovën.

Martesa e saj e bujshme me Zeljko Raznatovic – Arkanin

E njohur për fjalimet nëpër koncerte, të cilat ngjallnin ndjenjat nacionaliste serbe, duke lënë në harresë ngjarjet aktuale të cilat forcat serbe po ndërmerrnin në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci, teksa po performonte për Gardën Vullnetare Serbe “Tigrat e Arkanit”, gjatë tetorit të vitit 1993, ajo takoi burrin e saj të ardhshëm, kriminelin e njohur për masakra, përfshirë luftën në Kosovë, Zeljko Raznatovic – Arkani.

Svetlana dhe Zeljko Raznatovic.

Arkani, vendosi të braktis gruan dhe dy fëmijët e tij, për t’u martuar me këngëtaren që po ngjitej shkallëve të suksesit.

Në një periudhë kur po zhvillohej lufta që përfshiu gjenocidin e Srebrenicës, çifti Arkan dhe Ceca, vendosën të martohen zyrtarisht me datë 19 shkurt të vitit 1995.

Fotografi e shkrepur gjatë ceremonisë së martesës mes të Cecës dhe Arkanit.

Dasma e tyre mori një vëmendje të madhe duke pushtuar televizionet dhe titujt e gazetave, të cilët e quanin si “përrallë serbe”.

Ani pse Zeljko, i njohur për veprimtarinë e tij kriminale nëpër gjithë globin, pranoi nga Tribunali i Hagës një akuzë zyrtare për krime lufte dhe gjenocid të popullatës myslimane të Bosnjës, dhe ishte i përndjekur për vite të tëra nga Interpol, këto fakte nuk e penguan asnjëherë Cecën që ajo të shfaqte në çdo intervistë dashurinë dhe pëlqimin që kishte për personalitetin e burrit, si para ashtu edhe pas vdekjes së tij.

Funerali i Arkanit.

Martesa e tyre zgjati vetëm pesë vjet, sepse Arkan u qëllua me plumba nga një bandë rivale mafioze, teksa ndërroi jetë rrugës për në spital – në krahët e Cecës.

Ceca, në ceremoninë e funeralit të Arkanit.

Ju desh një vit kohë, që këngëtarja e hitit “Idi dok si mlad”, të bënte paraqitjen e parë televizive pas vdekjes së bashkëshortit, ku edhe pse ai ndërroi jetë duke lënë pas krime të dokumentuara nga gjykatat më prestigjioze të botës, Ceca nuk hezitoi t’i thotë lëvdatat e saj për ish partnerin.

Në intervistën e parë të dhënë në televizionin serb “Pink”, ajo u shpreh jo e penduar, duke mohuar akuzat karshi burrit të saj, teksa theksoi dashurinë – “Një pjesë e imja vdiq atë ditë. Unë gjithmonë do ta dua atë, dhe vetëm atë, jam e sigurt për këtë”.

Arrestimi mbi akuzën për “përfshirje në vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Djindjic”

Në vitin 2003, Svetlana Raznatovic – Ceca, u arrestua nga policia serbe mbi akuzën për dyshim në përfshirjen e saj në vrasjen e kryeministrit të asaj kohe, Zoran Djindjiç, ngjarje kjo e cila çoi Serbinë në shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

Emri i saj po bënte bujë edhe në mediat botërore. Të përditshmet si “The Guardian” e “Voa News”, publikuan menjëherë artikujt e tyre karshi arrestit të artistes serbe.

Ceca, gjatë vuajtjes me arrest.

Madje, pasi ajo mbajti dënim me burg për jo më shumë se 121 ditë, ekipi i “The Guardian”, udhëtuan drejt kryeqytetit serb, për të zhvilluar një intervistë me Cecën, ku trajtuan temën e arrestimit dhe jetën private të së dyshuarës.

“Kontrolli i shtëpisë së Cecës solli rezultate. Në bodrum, policia u ndesh me një derë të mbyllur, të blinduar. Ceca nuk kishte çelësa për të, kështu që u desh ta prishnin. Pas saj, ata gjetën 21 armë zjarri, tre kuti municioni, pamje snajperësh teleskopikë, silenciatorë nën-automatikë, maska ​​gazi, shkopinj policie dhe një përzgjedhje të targave të regjistruara në makinat në pronësi të Klanit Zemun”, shkruan “The Guardian”, transmeton Albanian Post.

Ndërsa, ata i drejtuan pyetjen se pse gjendeshin armë në bodrumin e saj, Ceca, në mënyre diplomatike përgjigjet: “Unë nuk e dija që gjendeshin aty. Arkan, ishte fans i madh i armëve, mbase ishin dhurata nga miqtë e tij, figura të rëndësishme politike. Çfarë prisnit të gjeni? Instrumente muzikore? Unë nuk po ndaja jetë me një muzikant, por me një komandant të fuqishëm”, tha ajo për “The Guardian”.

Siç edhe pritej, akuzat u hodhën poshtë vetëm për Cecën, teksa shumë prej personave të tjerë të arrestuar, vazhduan procedurat gjyqësore dhe vuajtjet me burg.

Por, ky arrestim, për dallim nga kauzat e tjera politike të përfshirjes së saj, ndikoi keq në reputacionin e krijuar në publik, teksa televizione të ndryshme serbe ndaluan së promovuari muzikën e saj.

Për akuzën në përfshirjen e vrasjes së kryeministrit, dhe transferit të famshëm të lojtarëve të klubit futbollistik “ F.C Obilic”, në krye të së cilit dikur ishte Arkani, pasur nga Ceca, si dhe armëmbajtjet pa leje, në Beograd u organizuan demonstrata që shprehnin pakënaqësitë kundër këtyre ngjarjeve.

Përplasja me Jelena Karleusen, mbi akuzat “për vrasjen e të fejuarit të saj”

Imazhi i Cecës në publik ka ndikuar që me shumë nga artistët, ajo të mos gëzojë marrëdhënie të mira, përfshirë këtu yllin e muzikës pop, Jelena Karleusa.

Karleusa, e famshme për qëndrimet e saj kontroverse, larg prej politikave serbe, ndryshe nga Ceca, e cila pas rënies së Slobodan Millosheviçit dhe vdekjes së Arkanit kishte probleme me ligjin, dhe një herë u dënua me burg dhe arrest shtëpie, Jelena përjetoi sukses të madh në karrierë dhe fitoi një ushtri fansash që e mbështetën atë në vitet që pasuan, në vende ku Ceca refuzohet edhe sot, përfshirë Kroacinë e Bosnjë Hercegovinën.

Ceca dhe Jelena Karleusa.

Në vitin 2010, Jelena Karleusa publikoi një letër të hapur në rrjetet e saj sociale, në të cilën foli më hollësisht për konfliktin me Svetlana Raznatovicin, duke deklaruar se “ajo ishte fajtorja për vdekjen e të fejuarit të saj, Zoran Davidoviç Canda”, shkruan Nova.rs, transmeton Albanian Post.

Siç shkroi ajo në atë kohë, pas vdekjes së Arkanit, Karleusa deklaroi se kishte pranuar kërcënim nga Ceca.

“Kur Arkani u vra, unë isha ulur pranë Zoranit, i cili thirri numrin e Cecës për të shprehur ngushëllimet e tij, dhe ajo bërtiti në telefon: “Zorrët tuaja do të tërhiqen zvarrë rreth Beogradit. Unë e dëgjova, sepse isha ulur pranë tij. Më pak se dy muaj pas kësaj, ata ia derdhën trurin me plumba”, shkroi Karleusa.

Marrëdhënia e tyre nuk është e mirë as sot, madje edhe vajza e çiftit, Ceca dhe Arkan, është e përfshirë në konflikte virtuale me yllin e muzikës, Jelena Karleusa.

Ndryshe, Karleusa, jo rrallë herë ka potencuar se nuk urren shqiptarët, madje ajo shpesh në evenimente të rëndësishme serbe paraqitet me veshje të kuruara nga disenjatorë kosovarë si Dona Matoshi e Albina Dyla.

Në një intervistë dhënë për emisionin Prive, Jelena Karleusa, nuk ka hezituar ta theksojë se sa shumë pëlqen këngëtaret kosovare me famë botërore.

“Më pëlqejnë të gjitha, Rita Ora, Dua Lipa. Por e preferuara ime është Bebe Rexha, e dua shumë stilin e saj”, tha Karleusa për emisionin kosovar të show bizit.


Shfrytëzimi i famës në muzikë pro kauzave nacionaliste serbe

Svetlana Raznatovic – Ceca, pos në muzikë, e njohur është edhe për kauzat politike serbe, kryesisht kur ato zhvillohen kundër shteteve me të cilat Serbia kishte konflikte, si Kosovën, Kroacinë dhe Bosnjë Hercegovinën.

Evenimenti i fundit i këtij lloji ishte në vitin 2018, kur Ceca, ani pse nuk mori autorizim nga autoritet kosovare, u fut brenda territorit të Republikës së Kosovës, për të mbajtur koncert në Mitrovicën e Veriut.

Ceca në koncertin e mbajtur në vitin 2018, në Mitrovicën e veriut.

Koncerti u zhvillua me qëllim të shprehjes së pakënaqësisë për taksën 100%  të vënë nga Republika e Kosovës për Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Vizita e saj u kundërshtua nga shumë prej figurave politike kosovare, teksa u kërkua që mos t’i aprovohej hyrja brenda territorit të Kosovës, kërkesë e cila nuk u realizua.

Në koncertin e mbajtur pa incidente të shënuara, pas më shumë se 20 vjetësh brenda Kosovës, pjesëmarrja e njerëzve në paraqitjen e Cecës, ishte “e zbehtë”.

Por, Ceca nuk hezitoi të publikojë fotografi në rrjetet e saj sociale, duke tentuar që publikisht ta deformojë të vërtetën.

Postimi i Cecës në Instagram.

Madje, ajo shkoi aq larg, sa pretendoi se – “Një nga momentet më të bukura në jetën time. Nuk ekzistojnë fjalë që mund ta përshkruajnë momentin kur i shihni ato fytyra të cilat duan që festat t’i presin me gëzim dhe lumturi. Ky koncert ku morën pjesë më shumë se 10 mijë njerëz ka treguar gjithçka. Botë, pse fëmijët tanë të jenë viktima. Populli im faleminderit për të gjitha”, ka shkruar Ceca në llogarinë e saj në Instagram.

Në fotografitë e publikuara, vërehet se brenda koncertit nuk ishin as 1 mijë persona, për shkak se hapësira ishte e vogël dhe nuk kishte kapacitet për një numër që këngëtarja e kishte përfolur.

Ndryshe, mburrjen e saj për veprimtarinë kriminale të Arkanit, e paraqiti edhe në video klipe të ndryshme.

Ndër skenat e video klipit “Nije Monotonija”, 1995.

Një nga ta është edhe kënga “Nije monotonija”, e publikuar në vitin 1995, teksa shfaqet duke luajtur me një tigër, çka simbolizon grupin kriminal të burrit të saj të ndjerë.

Arkani me grupin e tij.

Sot, Svetlana Raznatovic, 47 vjeçe, po vazhdon rrugëtimin artistik, dhe pas saj ka angazhuar edhe vajzën nga martesa me Zeljko Raznatovic, Anastasija Raznatovic, e cila po korr suksese në industrinë e muzikës duke prodhuar hite, por për dallim nga e ëma, ajo qëndron indiferente ndaj temave politike, sidomos atyre ku familja e saj është e përfshirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore