Libra

Ç’do të thotë jeta autentike?


Ilustrim

Një prej këshillave më të mëdha dhe më të përfolura në shoqëri është që të bëjmë jetë autentike. Por jo shpesh është e qartë se çka në fakt është autenticiteti, as si koncept, dhe as si mënyrë e të jetuarit.

Sipas fjalorit të Cambridge-it, autenticiteti është cilësia e të qënit real ose i vërtetë me veten. Si koncept psikologjik autenticiteti është përqafim i substancës personale të vetvetes, dhe të vepruarit në përputhje me vlerat dhe bindjet personale.

Në filozofi me autenticitetit nënkuptohet origjinalitet ose autorësi e padiskutueshme, ose të qënit besnik ndaj origjinales.

Filozofi kanadez Charles Taylor, në veprën e tij “Etika e Autenticitetit”, kuptimin e të jetuarit nj jetë autentike e gjurmon në kthesën subjektive të modernitetit, që nis me racionalizmin vetë-reflektues dhe vetë-themelues të filozofit francez Rene Descartes, që bazën aksiomatike e merr me “Cogito, Ergo Sum” (Mendoj, pra Jam).

Taylor, po ashtu një prej artikulesve më të mëdhenj të kësaj kulture të autenticitetit e konsideron filozofin gjerman Johan Gottfried Herder, idetë e të cilët janë rrënjosur thellë në vetëdijën moderne të njerëzimit. Herder konsideronte se secili njeri ka një mënyrë të tij personale të të qënit njeri.

Ekziston një mënyrë e të qënit njeri, që është mënyra ime, dhe vetëm e imja, dhe thirrem që jetën time ta jetoj sipas kësaj mënyre origjinale që është në themel të moralit personal tim. Në këtë mënyrë e kishte artikuluar pozicionin e tij etik sentimentalist dhe autentik, filozofi Herder.

Në fjalë të tjera, autenticiteti është një gjykim subjektiv, dhe vetëm subjekti gjykues mund ta dijë se a po vepron autentikisht ose jo.

Vetë këshilla e trumpetuar aq shumë “bëhu vetvetja”, nënkupton se ekzistojnë disa forma të jashtme që na pengojnë ta realizojmë vetveten tonë sipas asaj se çfarë jemi ne në të vërtetë.

Gjeniu i parehatshëm zvicran, Jean Jacques Rousseau, ishte gjithashtu prej artikuluesve të parë të autenticitetit, dhe të jetuarit në akordim me “sentimentit e ekzistencës”, që është i rrënjosur në zërin moral personal të secilit, dhe në natyrën e secilit.

Duke qenë se autenticiteti është gjykim subjektiv mbi atë se sa veprimet tona të përditshme përkojnë me sensin personal të vlerave dhe bindjeve që kemi, edhe autentciteti nuk është statik. Ajo ndryshon vazhdimisht me atë se sa ndryshojmë ne botëvështrimet dhe vetë-vështrime tona.

Autenticiteti merr forma të reja vazhdimisht, aq sa ne mësojm gjëra të reja veten, kemi përvoja të reja, ndryshojmë bindjet e vjetra, eksplorojmë dhe skulptojmë idetë tona për atë se çka është e mirë, dhe mënyrën se si i sortojmë gjërat më mirë çdo ditë e më shumë.

Autenticiteti, si ideal etik, nuk është statik, i vendosur njëherë e përgjithmonë, por është procesualitet dhe zhvillim. Dhe aq më shumë kohë që kalon, njerëzit e ndjejnë veten se po bëhen më autentik. Aq më shumë që krijojmë përvojë, aq më shumë vërejmë fasadat pas të cilave fshehemi, dhe i tejkalojmë.

Lionel Trilling, kritiku letrar amerikan, konceptin e autenticitetit e kishte derivuar nga sinqeriteti si “mënjanimi i të qënit fals me dikë tjetër, duke qenë real me vetveten”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore