Bota

Çavusoglu: Turqia nuk sprapset me sanksionet


Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të martën se sanksionet amerikane janë një sulm ndaj të drejtave sovrane të Turqisë dhe se ajo nuk sprapset me sanksione.

Kjo deklaratë e ministrit Çavusoglu erdhi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, pas Takimit 8 të Grupit të Përbashkët të Planifikimit Strategjik Turqi-Rusi dhe ceremonisë së nënshkrimit të Planit për Konsultime 2021-2022 ndërmjet dy vendeve, në qytetin bregdetar rus të Soçit.

Shefi i diplomacisë turke theksoi se vendimi i SHBA-së për sanksione ndaj vendit të tij është një veprim i gabuar si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë politik.

“Këto sanksione janë sulm ndaj të drejtave tona sovrane. Ne s’do të sprapsemi me sanksione”, potencoi Çavusoglu.

Sipas tij, marrëveshja ndërmjet Turqisë dhe Rusisë për sistemin e mbrojtjes ajrore “S-400”(Sistem raketor) është arritur përpara miratimit të ligjit CAATSA ( Aktin e Luftimit të Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve).

Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj Turqisë për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes ajrore “S-400”.

Sanksionet në kuadër të CAATSA-s shënjojnë Departamentin e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë (SSB) dhe katër zyrtarë të lartë të tij, përfshi këtu edhe presidentin e SSB-së, Ismail Demir.

Zyrtarët amerikanë kanë kundërshtuar blerjen e sistemit rus nga Turqia duke pretenduar se ata do të jenë të papajtueshëm me sistemet e NATO-s dhe se do t’i ekspozojnë avionët “F-35” ndaj një manipulimi të mundshëm rus.

Megjithatë Turqia këmbëngul se sistemi “S-400” nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe nuk do të përbëjë asnjë kërcënim për Aleancën ose armatimet e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore