Bota

Cavusoglu në Bruksel për të stabilizuar marrëdhëniet


Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, pritet të kryejë një vizitë zyrtare në Bruksel në 21 janar. Bisedat do të jenë të përqendruara kryesisht tek vazhdimi i dialogut Turqi – Bashkimi Evropian.

“Pres me padurim të vizitoj Brukselin në ditët në vijim”, shkruan Cavusoglu në Twitter. “Shpresojmë të arrijmë rezultate me vazhdimin e dialogut”, shton ai.

Postimi i Cavusoglu-së vjen pas atij të Ministrit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. “Jemi gati të vazhdojmë bisedimet për dialogun”, shkruan Borrell. “Objektivat e vendosura nga mbledhja e Këshillit Evropian në dhjetor, duhet të përmbushen”.

Të shtunën e 9 janarit, është zhvilluar një video konferencë midis presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe kreut të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Borrell, e ka cilësuar takimin “të dobishëm”, në Twitter-in e tij.

Marrëdhëniet Turqi-BE kanë pasur ulje-ngritje gjatë vitit të fundit. Disa vende anëtare unionit, kanë kërkuar vendosjen e sanksioneve mbi Turqinë për shkak të marrëdhënieve dypalëshe.

Në Turqi ndërkohë, ka diskutime mbi mënyrën si duhet t’i përqasen BE-së. Zyrtarë të lartë turq kanë deklaruar se presin “përmirësim të marrëdhënieve dhe ndërmarrjen e hapave konkrete nga ana e BE-së”.

Çështja e Turqisë për aderim në BE daton që në vitin 2005. Për vite, ka pasur ngërç tërësor të bisedimeve. Vitet e fundit, ka një zbutje  të marrëdhënies midis dy vendeve.

Mbetet për t’u parë nëse vizita e Cavusoglu-së në Bruksel, do t’i hapë rrugë një stadi të ri bisedimesh për anëtarësimin e Turqisë në BE./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore