Bota

Çavusoglu: Ende asnjë kontakt me rrëmbyesit e anijes turke


Nuk është vendosur ende asnjë kontakt me anijen e mallrave, e cila u grabit nga piratët në Gjirin e Guineas. Lajmin e bëri me dije Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu.

“Piratët nuk kanë vendosur kontakt me ne. Nuk janë kontaktuar as të afërmit e ekuipazhit”, deklaroi Çavusoglu përpara Parlamentit të Turqisë.

Ministri i Jashtëm turk theksoi faktin se Ankaraja është sy e veshë nga ngjarja e ndodhur. “Shpresojmë se do t’i shpëtojmë qytetarët tanë dhe do t’i rikthejmë në shtëpi”.

Ai shtoi më tej se Turqia ka vënë në dispozicion çdo informacion që ka mbi ngjarjen.

“Jemi në kontakt me shtetet fqinje. Të gjithë po bëjnë përpjekje shumë të mëdha. Kompania që zotëron anijet ka bërë gjithë përgatitjet e nevojshme për skenarë të ndryshme”.

Çavusoglu shtoi më tej se “ky është një mësim për të marrë masat e duhura në rajonet detare”. Anija e mallrave Mozart, me flamur të shtetit të Liberisë, u ankorua në portin Gentil të dielën në orën 11.00.

Të rrëmbyer ishin 19 nga 20 pjesëtarë të ekuipazhit. Raportohet se të gjithë janë shtetas turq. Një pjesëtar azerbajxhanas ndërkohë, u vra nga piratët. Nuk dihet nëse të tjerët janë të gjithë gjallë.

Çavusoglu, bëri me dije se punonjësi i vrarë do të transportohej drejt Azerbajxhanit me një avion të Turkish Airlines. Ai nuk ngurroi të falënderonte edhe autoritetet e Gabonit për bashkëpunimin me Turqinë përsa i përket çështjes./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore