Sport

Casemiro përshendet Real Madrid-in, së shpejti zyrtarizohet te United


Mesfushori brazilian i Real Madrid-it, Casemiro thuhet se të enjten në mbrëmje ka konsumuar darkën e “lamtumirës” me shokët e skuadrës spanjolle.

Sipas “El Chiringuito TV”, Casemiro do të jetë lojtari më i ri i Manchester United në Premier League.

Megjithëse Carlo Ancelotti e konsideron 30-vjeçarin si lojtar kyç në formacionin e Real-it, ai po kërkon një destinacion të ri, pasi në “Santiago Bernabeu” fitoi pothuajse gjithçka.

Gazeta spanjolle “Marca”, raporton se transferimi i Casemiro-s do i kushtojë United 71 milionë euro. Nga të cila 60 milionë thuhet se janë fikse dhe pjesa tjetër bonuse.

Braziliani do i jap fund periudhës shtatëvjeçare në “Santiago Bernabeu” për të kaluar në “Old Trafford”, aty ku do të përfitojë 15 milionë euro në sezon. Kontrata do të jetë katërvjeçare, me opsion dhe për një vit tjetër.

Real Madrid-i e transferoi Casemiro-n për 6 milionë euro në verën e 2013 nga Sao Paulo. Pasi fillimisht u la në huazim te klubi brazilian dhe më pas te Porto, që nga viti 2015 ai u bë pjesë e pandarë e madrielenëve.

Casemiro do të përshëndesë madrilenët pas 336 ndeshjesh, 31 golash dhe 29 asistimeve.

30-vjeçari, së bashku me Luka Modric dhe Toni Kroos u bënë një nga mesfushat më të forta në historinë e futbollit, duke arritur t’i sjellin Real-it pesë herë trofeun e UEFA Champions League.

Te United, ai do të gjej dy nga ish-shokët e skuadrës te Real-i, Cristiano Ronaldo dhe Raphael Varane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore