Sport

Camavinga, nga kampi i refugjatëve në Angola në finalen e Champions League


Eduardo Camavinga do të jetë pjesë e Real Madrid-in në finalen e Champions League përballë Liverpool-it. Ndeshje e cila do të luhet të shtunën më 28 maj, në stadiumin “Stade de France” në Paris, duke filluar nga ora 21:00.

19-vjeçari është në vitin e tij të parë te gjigandët spanjollë, megjithatë ai ka treguar cilësi sa herë që Carlo Ancelotti e fut në fushën e lojës.

Mirëpo jeta e hershme e Camavinga-s nuk ishte aq e lehtë, sidomos për prindërit e tij.

Mesfushori lindi në vitin 2002 në një kamp refugjatësh në Angola, nga prindër kongolezë që kishin ikur nga tmerret e luftës në Kinshasa. Ai ka pesë vëllezer e motra.

Familja më pas emigroi në Francë kur ai ishte dy vjeç, duke u vendosur në komunën Fougeres, e cila është vetëm 40 kilometra në veri-lindje të Rennes.

Camavinga fillimisht u mor me xhudo, por përfundoi duke thyer aq shumë gjëra në shtëpi ndërsa ushtronte, sa prindërit e tij vendosën ta çonin të luante futboll në klubin amator AGL-Drapeau Fougeres në moshën shtatëvjeçare.

Përparimi i mesfushorit të ri ishte i shpejtë, pasi ai vazhdimisht luante mbi grupmoshën e tij me klubin e tij. Trajnerët e tij raportuan një profesionist model, të etur për të mësuar.

Njerëzit kishin filluar të mbanin shënim 11-vjeçarin Camavinga. Nuk kaloi shumë kohë para se Stade Rennes erdhi dhe e ftoi atë të bashkohej në një turne veror.

Në vitin 2013, shtëpia e mesfushorit u dogj, duke shkatërruar pjesën më të madhe të pasurisë së familjes së tij. Pikërisht ishte kjo ngjarje, që e bëri t’i përkushtohej futbollit.

“Ne kishim qenë në atë shtëpi, të cilën prindërit e mi e kishin ndërtuar, për më pak se një vit,” tha Camavinga.

“E mbaj mend zjarrin. Isha në shkollë dhe pashë zjarrfikësit që kalonin jashtë dritares. Në fund të orës mësuesit erdhën tek unë dhe motra ime e vogël dhe më shpjeguan se çfarë kishte ndodhur. Babai im erdhi për të marrë na dhe na çoi atje, gjithçka u dogj, gjithçka u shkatërrua”, theksoi mesfushori.

Familja ishte e shkatërruar, por babai i tha djalit të tij “Eduardo, ti je shpresa e familjes, je ti që do të na rritësh”.

Kaq mjaftoi që fokusi i Camavinga-s te ishte vetëm te futbolli dhe të rritej sa më shpejt profesionalisht. Ai u bashkua me të rinjtë e Rennes-it, po atë vit që shkoi në provë, ndërsa kontratën e parë profesionale e nënshkroi kur ishte 16.

Më 5 nëntor 2019, Camavinga mori nënshtetësinë franceze. Gjashtë ditë më vonë, ai u zgjodh për të përfaqësuar ekipin e Francës U-21. Më 27 gusht 2020, u thirr për të luajtur në ekipin e parë të Francës pasi Paul Pogba doli test pozitiv me COVID-19.

Pas paraqitjeve të mira me Rennes-in dhe Francën, më 31 gushtin e 2021, Real Madrid-i pagoi 55 milionë euro për ta sjell Camavinga-n në “Santiago Bernabeu”.

Këtë sezon ai është paraqitur në 44 ndeshje me Real-in, duke shënuar dhe asistuar nga dy herë. Ndeshja e fundit që do të përmbyllë vitin e tij të parë me madrilenët do të jetë finalja e Champions League.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore