Sport

Calhanoglu: Trajneri ynë ia dha titullin Milan-it, Ibra sillet si një fëmijë


Futbollisti i Inter-it, Hakan Calhanoglu, ka thyer heshtjen, ku për herë të parë foli pas titullit kampion në Serie A që e fitoi ish-skuadra e tij, Milan-i, duke mposhtur pikërisht ekipin e tij.

Calhanoglu ka befasuar të gjithë me intervistën e dhënë, duke ia hedhur fajin trajnerit të tij, Simone Inzaghi-t.

Turku tha se Inzaghi nuk bëri zëvendësimet e duhura në derbin që Milan-i e fitoi me rikthim kundër Inter-it, ndeshje kjo që doli të jetë vendimtare për titullin kampion.

“Inter-i është shumë më i fortë se Milan-i. Por, ajo ndeshje ndryshoi në minutën e 75-të, ku u zëvendësuam unë dhe Perisic”, tha Calhanoglu duke komentuar ndeshjen të cilën Milan-i e riktheu me dy golat e Olivier Giroud.

“Inzaghi kontribuoi në humbjen tonë, ia thash atij, ai ndihmoi Milan-in të shpallet kampion. Bëri zëvendësimet e gabuara”, tha mesfushori turk.

28 vjeçari theu heshtjen duke komentuar edhe për Zlatan Ibrahimovic. Ky i fundit nxiti tifozët që ta shajnë turkun në festën e titullit kampion të kuqezinjve.

“Ibra nuk është 18-vjeç, ai është një 40-vjeçar. Unë nuk do të bëja gjëra të tilla në atë moshë të tij”.

“Këtë vit ai nuk kontribuoi për titull, nuk luajti në shumicën e ndeshjeve. Ai ka shkruar edhe në librin e tij për mua. E kuptoj, duhet të shkruante, pasi libri i do t’i mbetej bosh. Por, nuk do t’i përgjigjem”, tha Calhanoglu.

Ai më pas u ndal duke folur edhe për ndryshimin e klubit në verën e vitit të kaluar.

“Kisha shansin për të shkuar tek ekipi kampion i Italisë, më pas fitoi Serie A ish-skuadra ime dhe ma hedhin fajin mua”.

“Mendoj se dhashë një kontribut të mjaftueshëm me gola dhe asistime. Mbështetja e tifozëve më ndihmon shumë. Te Milan-i luajta për katër vite dhe asnjë tifoz nuk ma ka thirrur emirn në stërvitje, siç bëjnë të Inter-it”, tha mes tjerash Hakan.

Kujtojmë që Calhanoglu konsiderohet si tradhtarët më të mëdhenj te Milan-i, pasi ai nuk vazhdoi kontratën me kuqezinjtë në verën e kaluar, për t’u bashkuar me rivalët e tyre të përbetuar, Inter-in.

Për t’i hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit, Hakan festoi duke provokuar tifozët kuqezinj pasi shënoi gol, në ndeshjen që Inter-i i mposhti ata si vendas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore