Gjykata Speciale

Caktohet paneli i Gjykatës Supreme në Hagë për shqyrtimin e dënimit të Gucatit dhe Haradinajt


Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës kanë caktuar panelin e Gjykatës Supreme që do ta trajtojë ankesën e avokatëve mbrojtës të ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Kryetare e këtij paneli është presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ndërsa pjesë e panelit to të jenë edhe gjyqtarja Christine van den Wygnaert dhe Daniel Fransen, të cilët do të shqyrtojnë argumentet e ekipit mbrojtës që po kërkojnë lirimin nga akuzat ose ulje edhe më të madhe të dënimit.

Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë ua kishte ulur dënimin për tre muaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj. Dënimet e njësuara do të jenë prej 4 vjetësh e tre muaj burgim dhe paneli i Gjykatës së Apelit kishte deklaruar se koha e qëndruar në paraburgim do t’iu llogaritet në dënim.

Gucati dhe Haradinaj, më 18 maj 2022, janë shpallur fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë, duke u dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim. Që të dy janë në paraburgim në Hagë që nga shtatori i vitit 2020.

Ata janë arrestuar më 5 shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë janë në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ata dyshohej se po atë vit, përmes disa konferencave për media, kishin shpërndarë për gazetarët dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore