Shqipëria

Cakaj i lë vendin Xhaçkës, Peleshi tek Mbrojtja


Gent Cakaj nuk do të jetë më ministër i Jashtëm në detyrë. Vendin e tij do ta zërë ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Ndërkohë tek Mbrojtja do t’i kalojë Niko Peleshit.

Lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet Twitter-it kryeministri Edi Rama. “Pas një periudhe intensive pune me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt, ky është momenti t’ia kalojmë bashkërisht stafetën Olta Xhaçkës” shkruan Rama.

Vetë Cakaj më pas ka shkruar në Twitter-in e tij se për disa arsye, ai i kishte paraqitur kryeministrit dorëheqjen e tij. “Largohem me mirënjohje që kam pasur mundësinë t’i shërbej Shqipërisë”, shkruan Cakaj.

Kujtojmë se emërimi i Cakaj në 2019-ën në krye të Ministrisë së Jashtme nuk u pranua nga presidenti Ilir Meta. Meta nuk e dekretoi Cakajn duke dhënë arsyetimin se “ai ishte pa përvojë dhe kishte qendrime të rrezikshme”.

Më pas, Rama veproi duke u zgjedhur vetë ministër i Jashtëm dhe delegoi kompetencat tek Cakaj. Më 23 janar 2019, Cakaj mori rolin e ministrit.

Olta Xhaçka ndërkohë, e cila do të pasojë Cakajn, fillimisht mori në mars 2017 drejtimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Më pas në shtator të po atij viti, u emërua në krye të Ministrisë të Mbrojtjes.

Peleshi nga ana tjetër, kishte që prej janarit 2019 që nuk mbante post në kabinet. Më parë, në 2013-ën, ai u caktua zëvendëkryeministër i kabinetit Rama I. Në mandatin e dytë, qëndroi në krye të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, deri në janar 2019.

Këto ndryshime në qeveri vijnë të paparalajmëruara. Vetëm pak javë më parë, kemi pasur ndryshime pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt nga Ministria e Brendshme.

Vendin e Lleshajt e zuri ish-ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi. Ndërkohë në krye të Bujqësisë, u vendos deputetja Milva Ekonomi./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore