Shqipëria

Bylykbashi çon ‘Aktiv1stin’ në SPAK


Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme SPAK, një kallëzim penal lidhur me aplikacionin “Aktiv1sti”, i cili sipas pretendimeve të opozitës, është krijuar nga Partia Socialiste, për të kontrolluar administratën publike.

Mirëpo, SPAK, nuk e ka marrë në dorëzim këtë kallëzim, ku sipas Bylykbashit, e gjitha kishte të bënte me vendosjen e procedurave burokratike të institucionit të lartë hetues në Shqipëri.

“Erdhëm në SPAK për ta dorëzuar, për fat të keq SPAK nuk e mori në dorëzim. Kanë vendosur procedura burokratike. Ne do ta çojmë përpara këtë kallëzim”, bëri me dije deputeti demokrat lidhur me çështjen.

Sipas tij, aplikacioni është “kriminal” dhe synon të kontrollojë gjithë administratën publike, duke cenuar haptazi lirinë e votes.

Më tej, ai shtoi se tashmë është barra e prokurorisë, që të hetojë më thellë situatën e këtij aplikacioni telefonik, duke hequr edhe burokracionë “postare”, për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm.

Më 8 shkurt, do të ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai i cili do t’i përgjigjej akuzave lidhur me “Aktiv1stin”, dukë thënë se PS-ja do të ndjekë në rrugë ligjore çdo akuzë.

“PS do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen, manipulimin dhe fabrikimin e të dhënave të rrjetit social të aktivistëve të saj, i cili është lehtësisht i verifikueshëm si një mekanizëm komunikimi i brendshëm mbi bazën e vullnetarizmit të çdo përdoruesi”.

Nga ana tjetër, akuzat mbi rrjetin e “aktivistëve”, pretendojnë se aplikacioni ka të bëjë me një databazë, ku janë të regjistruar njerëz të punësuar në administratën publike, të cilët shpërndajnë postimet e eksponentëve të Qeverisë në media sociale.

Sipas tyre, numrin më të madh të “aktivistëve” në lifte e mbajnë Policia e Shtetit dhe ajo bashkiake, ndjekur nga doganierët, mjekët, arsimtarët dhe tatimorët.

Funksioni i këtyre personave gjithsesi nuk kuptohet në bazë të akuzave të ngritura.

Teksa, në bazë të fjalës së Ramës, theksohet se platforma, i shërben vetëm komunikimit të brendshëm të vullnetarëve brenda strukturave socialiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore