Financa

“Buxheti i pesë muajve të parë, 31 miliardë lekë mbi parashikimin”


Ministria e Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri ka bërë përmbledhjen e performancës paraprake pesëmujore të të ardhurave dhe shpenzimeve.

Në njoftim është bërë e ditur se performanca reflekton rritjen e shpenzimeve në ndihmë të bizneseve dhe individëve, gjithashtu edhe ecurinë e investimeve në kuadër të prioriteteve të qeverisë.

Po ashtu, të ardhurat totale për pesëmujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 104 % të planit, ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike në masën 97% të tij.

Të ardhurat totale

“Të ardhurat totale për 5-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 191.6 miliardë, ose 104 % të planit të pesëmujorit. Krahasuar me një vit më parë, të adhuruat kanë rritje prej 31 miliardë lekë”.

Tek të ardhurat totale përfshihen ato doganore dhe ato tatimore. Tek të ardhurat doganore bëjnë pjesë grupet, si të ardhurat nga TVSH-ja në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare, dhe për pesëmujorin e parë kapin vlerat e 67.8 miliardë lekëve, ose 23.5% më shumë se pesëmujori i vitit 2020.

Të ardhurat tatimore bëjnë pjesë të ardhurat nga TVSH-ja neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave (DPT), të cilat, të mbledhura se bashku, u realizuan në masën 98.8 miliardë lekë, ose 13.9% më shumë se 5-mujori i vitit të kaluar.

Shpenzimet publike

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e pestë të vitit 2021, shkruhet në lajmërimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë arritën në rreth 211.9 miliardë lekë me një realizim në masën 97% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, ky zë ka rezultuar 13% më i lartë, ose rreth 24.3 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 5-mujore kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 98.7% dhe 75.7% të planit të pesëmujorit.

Shpenzimet kapitale janë ato shpenzime që kryhen për blerjen e aseteve të reja, apo riparimin e atyre të mëparshme dhe jetëgjatësia e të cilave shkon përtej një viti fiskal. Shpenzimet korente përbëjnë shumën e të gjithë shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes për një periudhë të caktuar kohore, dhe përfshin kostot e vazhdueshme të njësisë për përmbushjen e funksioneve të përditshme.

Niveli i deficitit për periudhën pesëmujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 20.3 miliardë lekë, ose rreth 6.7 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën pesëmujore, niveli i deficitit rezulton 58.6% e planit të periudhës, prej rreth 34.68 miliardë lekë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore