Shqipëria

Butrinti, e para zonë me 0% mbetje karboni, thotë Rama


Butrinti do të jetë zona e parë në Shqipëri “carbon free”.

Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë për Parkun Kombëtar të Butrintit, i cili do t’i jepet për menaxhim 10-vjeçar një fondacioni të huaj.

Më tej, Rama shpjegoi se “çdo aktivitet që do të zhvillohet në Butrint do të jetë me 0% mbetje karboni”.

Gjithashtu, ai tha se fondacioni nuk jep kredi, as nuk kërkon asgjë nga shteti shqiptar përveç “partneritetit”.

Këto deklarata të kryeministrit erdhën si kundërpërgjigje ndaj akuzave të deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila nga foltorja e Kuvendit, në seancën e 28 prillit, hodhi akuza se Parku Kombëtar i Butrintit po kthehet në një biznes fitimprurës.

Më herët, në Parlament pati gjithashtu një replikë mes ministres së Kulturës, Elva Margariti, dhe deputetes Zhupa.

Sipas Margaritit, fondacioni i huaj do ta zhvillojë Parkun e Butrintit, duke i sjellë të ardhura shtesë komunitetit.

Ajo, po ashtu, theksoi se “tanimë Butrinti nuk do të njihet vetëm si Park Kombëtar, por do të ketë edhe brandin e saj, me produkte të krijuara nga banorët”.

Deputetja e Partisë Demokraike, Ina Zhupa

“Qëllimi i fondacionit”, ravijëzoi ministrja, “është që ta përhapë këtë brand në shkallë të gjerë”.

Nga ana tjetër, Zhupa u shpreh se në Butrint nuk do të jetë thjesht fondacion, por do të jetë biznes fitimprurës.

“Në vitin 2018 kanë miratuar ligjin e trashëgimisë kulturore për t’i hapur rrugë dhënies me koncesion. Jepet gjithashtu për përfitim ekonomik dhe pse quhet organizatë jofitimprurëse”.

Zhupa deklaroi edhe se në park do të ndërtohen restorante, bare dhe teatro me qëllim përfitimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore